
- Olaf Scholz është zgjedhur kancelari i ri gjerman, duke hapur një kapitull të ri në politikën gjermane dhe europiane, teksa epokës së Merkelit i erdhi fundi. Scholz mori drejtimin e qeverisë së re të formuar nga tre parti, me 395 vota pro dhe 303 kundër, duke u zgjedhur si pasuesi i Angela Merkel, e cila lë detyrën pas 16 vitesh.
- Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se vaksinimi i detyruar ndaj koronavirusit duhet të jetë opsioni i fundit në absolut. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, tha se vaksinat e detyrueshme duhet të jenë "zgjidhja e fundit" dhe se vendet duhet së pari t'u drejtohen komuniteteve.
- Situata mes Ukrainës dhe Rusisë është e tensionuar. Nuk eliminohet rreziku për një përballje të mundshme të armatosur mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një bisedë virtuale me homologun amerikan, Joe Biden, i cili tha se nuk e konsideron një opsion dërgimin e ushtrisë në terren në Ukrainë, teksa tensionet me Rusinë sa vijnë e shtohen. Ai njoftoi se presionin do ta përqendrojë kryesisht në kërcënimin me sanksione ekonomike.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj 16 personave dhe 12 entiteteve të ndryshme të përfshirë në aktivitet kriminal në vende të ndryshme të botës. Mes organizatave të vendosura në listën e sanksioneve të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja në Departamentin e Thesarit është dhe ajo e kriminelit serb Zvonko Vesilinoviç, e cila operon kryesisht në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vlerësuar vendimin e SHBA dhe ka thënë se ai legjitimon veprimet e policisë së Kosovës.
- Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin ka kërkuar falje për faktin që shkoi në një klub nate, pasi një ministër i qeverisë kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. 36-vjeçarja, e cila është vaksinuar me dy dozat, kërkoi falje dhe mori përsipër përgjegjësinë personale. Politikanët e opozitës thanë se Marin duhet të kishte dhënë një shembull të mirë, duke u izoluar vullnetarisht në vend që të shkonte në një klub.
- Kartëmonedhat euro do të ridizenjohen për herë të parë në 20 vjet. Banka Qendrore Europiane (BQE) do të zgjedhë një dizajn të ri për kartëmonedhat euro deri në vitin 2024. Monedha e eurozonës u prezantua për herë të parë në vitin 1999, me monedha dhe kartëmonedha që u lançuan në 2002-shin.
- Franca shtrëngon masat anti-Covid në prag të festave. Qeveria franceze ka shtuar kufizimet për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të Covid-19, Omicron. Klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllura deri në fillim të janarit, ndërkohë që qytetarëve iu është bërë thirrje për të reduktuar grumbullimet. Personat mbi 65 vjeç do të mund të marrin dozën e tretë të vaksinës, ndërkohë që qeveria po planifikon vaksinimin për fëmijët e moshës 5-11 vjeç.
- Shtetet e Bashkuara deklaruan se asnjë zyrtar i qeverisë amerikane nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit 2022, duke miratuar kështu një bojkot diplomatik të lojërave. Megjithatë, ky bojkot nuk ndalon atletët amerikanë që të garojnë në olimpiket dimërore. Nga ana e saj, Kina dënoi bojkotin dhe paralajmëroi se do të kundërpërgjigjej.
- Tre doza të vaksinës Pfizer dhe BioNTech kanë rezultuar efektive kundër variantit të ri të Covid-19, Omicron. Një përfundim i tillë është arritur pas testimeve intensive që kompania ka bërë në laborator.
(A2 Televizion)