
Gati 5 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19 janë injektuar në nivel global, gjatë një fushatë 9 mujore imunizimi sipas të dhënave të Our World Data. Gati një e katërta e botës është plotësisht e vaksinuar, ndërsa rreth një e treta e popullsisë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës. Shumica e vaksinave në përdorim jepen me dy doza, por një sërë shtetesh po rekomandojnë aplikimin e dozës së tretë përforcuese, mes të dhënave se imuniteti bie me kalimin e muajve. Izraeli, një prej vendeve me mbulimin më të mirë me vaksina në botë, ishte i pari që nisi aplikimin e dozës së tretë tek popullsia mbi 60 vjeç. Rreth 600 persona mes 5.4 milionë qytetarëve të vaksinuar plotësisht në Izrael, janë infektuar në formë të rëndë nga Covid-19 që prej muajit qershor. Mes tyre 75 përqind janë mbi moshën 70-vjeçare dhe ishin vaksinuar të paktën 5 muaj para infektimit.
Ran Balicer, kryetar i panelit qeveritarë të ekspertëve: "Ne besojmë se një dozë e tretë përforcuese është e nevojshme për të kapërcyer dobësimin imunitar që po shohim mes të moshuarve që kanë marrë vaksinën mbi 5 muaj më parë, në mënyrë që të reduktojmë efektet e variantit Delta”.
Por ndërsa shumica e vendeve perëndimore, si SHBA, Gjermania dhe Franca bëhen gati të ndjekin shembullin e Izraelit, OBSH ngre shqetësimin për qasje të pabarabartë në vaksina mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra. Vetëm 1.4 përqind e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë. Situata më e keqe me imunizim është në Afrikë, ku shumë vende kanë vaksinuar më pak 1 përqind të popullatës. (A2 Televizion)