Një aksident me pasojë vdekjen e 19-vjeçare ndodhi të enjten në rrugën nga Divjaka për në plazh.
Sipas policisë, nga aksidenti u plagos edhe drejtuesi i mjetit, 25-vjeçari me iniciale V.H. dhe një pasagjer tjetër, ende i paidentifikuar.
Për ngjarje të tilla, ku shpeshherë ka, fatkeqësisht, edhe viktima, raportohet thuajse çdo ditë, nga çdo rreth i Shqipërisë.
Vetëm në dy muajt e parë të këtij vitit, 40 persona humbën jetën në rrugët e vendit, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku 29 persona humbën jetën në aksidente rrugore.
Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se në muajt janar-shkurt 2021 ndodhën 204 aksidente rrugore nga 199 aksidente të ndodhura në dymujorin e parë të vitit 2020, duke u rritur me 2,5%.
Në 7 vitet e fundit në vend, 1646 persona kanë humbur jetën si pasojë e 12366 aksidenteve rrugore të ndodhura, ndërkohë që numri i të plagosurve është 14985.

Gjatë vitit të shkuar, ndonëse për pjesën më të madhe të kohës vendi ishte nën ndikimin e masave kufizuese kundër Covid-19, në rrugët e vendit u regjistruan 1234 aksidente rrugore në të cilat humbën jetën 181 qytetarë.
Përdorimi i alkoolit është ndër shkaktarët e aksidenteve rrugore, ndonëse në 4 vitet e fundit ka pësuar ulje.

Vdekjet si pasojë e aksidenteve rrugore përllogariten në vlerën e rreth 1,5 për qind të vdekjeve totale të ndodhura në vend. Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në rrugë në raport me popullsinë.
353 aksidente hekurudhore me 60 të vdekur në 15 vite
Në Shqipëri ndodhin aksidente hekurudhore, megjithëse ato janë relativisht të pakta, kjo si pasojë edhe e mungesës masive të këtij shërbimi. Të dhënat nga Policia e Shtetit ndër vite tregojnë se numri i aksidenteve hekurudhore dhe vdekjeve si pasojë e tyre është rrudhur në vitet e fundit.
Në harkun kohor 2013-2020, në hekurudhat e vendit janë shënuar 123 aksidente hekurudhore me 16 viktima dhe 66 të plagosur. Gjatë vitit të shkuar u regjistruan 3 aksidente hekurudhore me një person të plagosur.

Referuar të dhënave nga viti 2006 në vitin 2012, numri i aksidenteve hekurudhore dhe viktimave ka qenë më i lartë. Në këtë hark kohor janë shënuar 230 aksidente hekurudhore me 44 viktima dhe 11 të plagosur. (A2 Televizion)
