
Numri i lartë i vizitorëve që zgjodhën Vlorën këtë sezon veror, si dhe mbi 300 milionë eurot që përllogaritet xhiroja e qarkulluar, duket se nuk kanë dhënë impakt aq pozitiv edhe në sitet arkeologjike të qytetit bregdetar.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, shprehet se fluksi i vizitorëve në sitet arkeologjike, ndonëse është shtuar sërish nuk e ka tejkaluar vitin 2019, që mbahen si viti më i mirë sa i takon vizitueshmërisë së objekteve arkeologjike.
Por cilat janë shkaqet që sitet arkeologjike, nuk kanë përfituar sa duhet nga numri i lartë i vizitorëve që pati ky sezon veror.
Ndër objektet më të vizituara në qarkun e Vlorës vijon të mbetet kalaja e Porto Palermos, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve edhe për shkakun që shquhet më së mirë përgjatë rrugës së bregdetit. Ndërsa pritet që të shtohen investimet dhe gërmimet edhe në parkun arkeologjik të Amantias, ku zbulimet e fundit kanë rritur interesin për këtë park. (A2 Televizion)