Bilbili ndërpret seancën, PS sërish përjashtim Berishës

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2023, 18:47 | Politikë
Bilbili ndërpret seancën, PS sërish përjashtim Berishës

Hallet e popullit u harruan e deputetët mbyllën parlamentit pa diskutuar për to. Seanca plenare që kishte në rend dite diskutimet e problematikave që kishin ngritur qytetarët shfaqi tension përpara se sa të fillonte, jo sepse ato janë të mëdha, por droja nga tubimi i opozitës kishte bërë që perimetri i sallës së seancës plenare të blindohej.

Përplasja nisi pafilluar edhe seanca plenare. Pesë deputetë të përjashtuar nga punimet e Kuvendit kërkuan të futeshin krah Berishës në sallë.

Qëndrimi stoik i gardës bëri që deputetët të ktheheshin mbrapsht, por seanca nuk nisi. Shkak ishte shkëputja e energjisë elektrike.

Pas më shumë se 30 minutash energjia elektrike u kthye, por tensionin e lartë e shkaktuan gratë socialiste të cilat ndihen të ofenduara nga gjuha e Sali Berishës. Pas fjalëve të grave, radhën e morën burrat të cilët nuk lanë që të flitej në sallë asnjë fjalë.

Për tre herë radhazi, Lindita Nikolla ndërpreu seancën me shpresë se situata do të qetësohej e debati do të vijonte.

Demokratët në finale ia arritën qëllimit, nuk i lejuan socialistët që të flisnin, por për pasojë, asnjë diskutim për qytetarët nuk u bë pasi seanca u ndërpre përfundimisht. Mazhoranca nga ana e saj nuk u duk e shqetësuar, duke paralajmëruar fatin e atyre që bllokuan foltoren.

Me kërkesë të grave apo jo, socialistët do t’i drejtohen të martën Kuvendit për të kërkuar përjashtimin e Berishës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos