Këmbëngulja aktuale e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, është më e madhja që kur palët kanë nisur dialogun në vitin 2011, dhe përfshirja e fortë e Shteteve të Bashkuara e ka shtrënguar lakun rreth dy vendeve.
Eksperti i politikës rajonale nga Serbia, Aleksandar Popov thotë për radion Evropa e Lirë se Prishtina dhe Beogradi “kanë luajtur shumë për t’iu shmangur detyrimeve të marra përsipër.

“Po të mos ishte kjo, pra një veprim i sinkronizuar ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, nuk do të kishte asnjë progres në lidhje me këtë dokument të përbashkët franko-gjerman, të cilin BE-ja e ka pranuar si të vetin... dhe nuk do të ishin as këta hapat e mëtejshëm. Hapi i radhës është Ohri”, deklaroi Popov.
Dy vendet janë pajtuar në parim për tekstin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por, tani, do të duhej të pasonte hartimi i udhërrëfyesit për zbatimin e tij.
Kjo është edhe arsyeja e një takimi të paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, më 18 mars, në Ohër.
Por, gjatë ditëve të fundit palët kanë pasur deklarata kontradiktore që venë në dyshim pranimin e propozimit. Kurti tha se është i gatshëm ta firmosë planin evropian, ndërsa Vuçiç theksoi se nuk do ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Analisti Agon Maliqi mendon se plani i zbatimit në fund, do të ofrohet si dokument i formës “pranoje ose lëre”.

Sipas tij, “në këtë moment, pastaj, Kosova dhe Serbia detyrohen të gjykojnë se sa janë të gatshme të përballen me pasojat. Çështja është se Vuçiç është në afatet e fundit të tij, të lojës gjeopolitike dhe të perceptimit që e ka krijuar në Perëndim -veçanërisht në SHBA - se është i gatshëm të shkojë drejt marrëveshjes me Kosovën. Pas një dekade të dialogut, unë mendoj se hapësira e tij manovruese në SHBA, është afër skadimit”.
Analistët mendojnë se të dy liderët kanë bërë përpjekje ta shmangin përgjegjësinë, duke shpresuar që “ai tjetri nuk do ta pranojë propozimin”. Në Serbi kundërshtohet kryesisht pika 4 e propozimit, që i kërkon të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa për qeverinë Kurti problematike është pika 7, që i referohet “aranzhimit të veçantë për komunitetin serb” dhe zyrtarizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe. (A2 Televizion)