
”Rusia akuzoi Ukrainën se po ndërron vazhdimisht qëndrimet e saj për çështje të rëna dakord gjatë negociatave për paqe. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përmes audiolidhjes tha për gazetarët se teksa bisedimet e nivelit të lartë vazhdojnë, Kievi nuk ka qenë konsistent në qasjen e tij.
“Operacioni special ushtarak po vijon. Presidenti tha së fundmi, kur vizitoi Kozmodromin, se gjithçka po shkon sipas planit. Por, në të njëjtën kohë, kontaktet vazhdojnë në një nivel të lartë brenda kornizës së procesit të negociatave. Gjithashtu, dëshiroj t’ju sjell në vëmendje atë që presidenti tha, që fatkeqësisht, pala ukrainase nuk është e qëndrueshme në pikat e pajtuara më parë. Po ndryshon qëndrimet e saj vazhdimisht dhe mënyra se si po ecin bisedime lë për të dëshiruar” deklaroi Peskov.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar me ndërprerje të bisedimeve të paqes nëse në vendin e tij zbulohen mizori të reja, ose nëse ushtria ruse eliminon ushtarët e rezistencës në Mariupolin e rrethuar.
Inteligjenca e Kievit pohon se nuk ka gjasa që Moska të përdorë armë bërthamore. “Qetësohuni të gjithë, është vetëm një kërcënim. Edhe nëse Putini do të çmendej dhe do të kërkonte ta bënte, teknikisht nuk është aq e thjeshtë për t’u bërë”, u shpreh Kirill Budanov, shef i Inteligjencës në ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës.
Ndërkohë, politikani pro rus i Ukrainës, Viktor Medvedchuk, në një video të publikuar nga shërbimet sekrete të Kievit, iu drejtua presidentëve Zelensky dhe Putin që ta shkëmbenin atë me anëtarë të rezistencës ukrainase në Mariupol.
Politikani, i cili njihet dhe si “Kumbari i Putinit” për lidhjet e tij me Kremlinit, që prej vitit të kaluar qëndronte në arrest shtëpie pasi akuzohet për tradhti dhe terrorizëm financiar, të cilat i mohon. Ai u arratis pas nisjes së luftës nga Rusia dhe u kap disa ditë më parë. Vetë Moska sinjalizoi se mund ta shkëmbente atë me dy mercenarë të huaj të kapur në Mariupol. (A2 Televizion)