
Suedia nuk po gjen qetësi pas djegies së Kuranit nga një grup i së djathtës ekstreme, kundër emigracionit. Përleshjet kanë vijuar në qytetet rreth vendit për të katërtën ditë radhazi, me mediat lokale që raportojnë për 3 të plagosur në Norrköping, ku policia qëlloi në ajër për të paralajmëruar protestuesit.
Disa automjeteve ju vu zjarri dhe të paktën 17 vetë u arrestuan. Skena të ngjashme u panë edhe një ditë më herët, kur manifestuesit e së djathtës ekstreme i vunë flakën disa makinave dhe një autobusi në qytetin jugor të Malmos. Më herët, qeveritë e Iranit dhe Irakut thirrën ambasadorët suedezë, në shenjë proteste kundër djegies së Kuranit.
Ekstremisti danezo-suedez, Rasmus Paludan, i cili synon të kandidojë në zgjedhjet legjislative në shtator, por që nuk ka ende numrat për ta bërë, gjendet aktualisht në një tur rreth Suedisë. Ai po viziton lagje me popullsi myslimane ku thotë se do të djegë kopje të Kuranit.
Avokat dhe aktivist në You Tube, ai është dënuar edhe në të kaluarën për fyerje racore.
Të paktën 16 efektivë të policisë janë lënduar në trazira në zonat ku grupi i ekstremit të djathtë kishte planifikuar eventet, përfshirë në periferitë e Stokholmit dhe në qytetet e Linköping dhe Norrköping. Sipas shefit të policisë, demonstruesit po tregonin indiferencë ndaj jetëve të policëve, duke e cilësuar dhunën si të paprecedentë. (A2 Televizion)