
Policia ka arrestuar 4 persona në Fier të akuzuar për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Në pranga përfunduan
N. G., 69 vjeç dhe B. M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”;
N. A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen “Kastriot”;
T. H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”.
Sipas Policisë së Fierit të katër këta persona bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme. Të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme edhe 8 shtetas të tjerë, të cilët u proceduan penalisht.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, të mbështetur nga inteligjenca informative, siguruan prova për disa ambiente të vëna në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.
Në bazë të këtyre provave të siguruara gjatë hetimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetas që kishin në administrim lokale dhe hotele të vëna në dispozicion për ushtrim të prostitucionit.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Bazat”, rezultoi se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës maj 2022-shkurt 2023, kishin vënë 2 lokalet dhe hotelin që kishin në pronësi, në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 8 shtetas, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari.
Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme”, tha policia. (A2 Televizion)