
Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën me gjykim të shkurtuar për një hetim mbi disa zyrtarë të Agjencisë Funerale të Bashkisë Tiranë, që akuzohen për korrupsion në varrezat e Tufinës.
Më në detaj për Alban Ajazi, i akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe korrupsion pasiv”, kërkohet dënimi me 2 vite burgim, përfundimisht 1.4 me gjykim të shkurtuar.
Për Bujar Lica, i akuzuar për “ushtrim i ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kërkohet dënimi me 1 vit, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 9 muaj burg.
Gazmend Daja, me detyrë punonjës i varrezave Tufinë pranë Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë, i cili akuzohet për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv”, kërkohet dënimi me 2 vite burgim, përfundimisht 1.4 me gjykim të shkurtuar.
Latif Shehu, me detyrë përgjegjës Sektori i Varrezave Tufinë në Agjencisë e Shërbimeve Funerale akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, kërkohet dënimi me 2 vite burgim, përfundimisht 1.4 me gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë për Fatjon Gjonaj, me akuzën e ndërtimit të paligjshëm sepse po ndërtonte një varr, kërkohet dënimi me 6 muaj burg, e reduktuar në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe pezullimin e dënimit dhe vënien në provë për një periudhë prej 8 muajsh.
Mes të prangosurve ishte dhe ish-drejtori i varrezës së Tufinës, Eljodor Ndini, i cili do të gjykohet veçmas.
Hetimet zbuluan se zyrtarët e Agjencisë Funerale të Bashkisë Tiranë, ndikonin te zyrtarë të tjerë për nxjerrje lejesh ndërtimi dhe rindërtimi, certifikatash pronësie nga ASHK, si dhe certifikata të rreme vaksinimi nga Covid-19, të gjitha kundrejt ryshfetit, që shkonin deri në 200 mijë lekë. Në përgjimet e bisedave, të arrestuarit flisnin për ryshfetet që marrin për prenotimin dhe ndërtimin e varreve, që shkonte deri në 6 mijë euro. (A2 Televizion)