Janë bllokuar në Portin e Vlorës një sasi e konsiderueshme lëndë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve, e cila po tentohej të futej në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Policia e Vlorës, në bashkëpunim me atë Kufitare dhe autoritetet portuale, bënë të mundur bllokimin e një furgoni dhe disa fuçive me lëndë të rrezikshme që ishin imbarkuar në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi.
Mbetjet e rrezikshme janë lënë në traget, i cili është bllokuar nga policia, ndërsa ende nuk është bërë hapja dhe peshimi i saj.
Ndërkohë, janë prangosur 6 persona, të dyshuar si të përfshirë në këtë tentativë të trafikimit të lëndëve të rrezikshme drejt vendit tonë.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj: “Çështja është në dorën e prokurorisë dhe po pritet përfundimi i hetimeve”.
Ende nuk dihet nëse kjo është tentativë e parë apo është realizuar edhe herë të tjera futja e mbetjeve të rrezikshme në territorin shqiptar. (A2 Televizion)