Apeli i Gjykatës se Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u detyrua të shtyjë në një datë të re seancën ndaj Emiliano Shullazit dhe 4 të bashkëpandehurve.
Çështja, që nuk ka shënuar asnjë seancë të zhvilluar, u fut në ngërç të ri pas shndërrimit të Apelit të Krimeve në Gjykatë Speciale. Dy nga gjyqtarët e trupës ishin të deleguar nga apelet e rretheve.
Ndërkohë, KLGj konfirmon zyrtarisht se është angazhuar për zgjidhjen e situatës, përfshi edhe Kuvendin. Këshilli i Lartë Gjyqësor i është drejtuar me një shkresë Ministrisë së Drejtësisë, ku i propozon ndryshime ligjore që mund të çojnë në zgjidhjen e ngërçit me gjyqtarët.
Ngërçi u krijua pasi një pjesë e tyre janë ende në vetting, një pjesë kanë dhënë dorëheqjen ose kanë mbaruar mandatin.
“Aktualisht, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve në detyrë në gjykatat e Apelit është 63, ndërsa në janar 2020, ky numër do të jetë 61, pasi Këshilli do të duhet të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për dy gjyqtarë, të cilët në dhjetor 2019 kanë dhënë dorëheqjen nga detyra. Pra, gjatë periudhës së zbatimit të procesit të rivlerësimit kalimtar në gjykatat e apelit janë krijuar edhe 38 pozicione të lira, që bashkë me 3 pozicionet që kanë qenë të lirë në momentin e fillimit të procesit, në total bëjnë 41 pozicione të lira”, thuhet ndër të tjera në propozimin e KLGJ.
Rezulton se aktualisht gjykatat e Apelit funksionojnë me një numër të reduktuar gjyqtarësh, me rreth 40% më pak se numri i përgjithshëm i përcaktuar për to. Kjo mungesë mund të shkaktojë ngërçe dhe probleme edhe në gjyqe të tjera. Gjyqtarët që janë pjesë e gjykatës së posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i janë nënshtruar ligjit të posaçëm. Të gjithë gjyqtarët e tjerë që do të komandohen në gjykatën e posaçme duhet që të japin pëlqimin për kushtet, mes të cilëve për t’u përgjuar.
Në letrën e KLGJ drejtuar ministres Gjonaj, thuhet se shqetësimi i tyre lidhet me administrimin e Gjykatave të Apelit, kjo sa i përket numrit të gjyqtarëve në këto Gjykata në funksion të menaxhimit efikas të ngarkesës gjyqësore dhe cilësisë së produktivitetit të tyre. (A2 Televizion)