
Nga Enver Robelli
Mirë me Rusinë. Mirë me Kinën. Mirë me Bashkimin Europian. Mirë me SHBA-të. Kjo ka qenë parulla e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prej vitesh. Quhej politikë e uljes në “katër karrige”. Paralajmërimet nga Brukseli dhe Washingtoni se kjo politikë e Beogradit nuk do të tolerohet gjatë, nuk u morën seriozisht nga qeveritarët serbë.
Vuçiq u përpoq t’ia ledhatojë egon familjes së Donald Trumpit duke i premtuar një truall të madh në Beograd, ku dhëndri dhe djemtë e Trumpit do të ndërtonin një hotel luksoz, 1500 banesa dhe plot hapësira për dyqane. Këtij synimi i doli përpara drejtësia serbe, për shkak se zbuloi manipulime në procesin e dhënies së truallit familjes Trump. Të hënën, prokuroria serbe kundër krimit të organizuar ngriti aktakuzë kundër një ministri dhe tre zyrtarëve të tjerë nga sektori i trashëgimisë kulturore. Pak orë më vonë, Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga projekti në Beograd, të cilin muajve të fundit e kishte lavdëruar me fjalë të mëdha. Sivjet Vuçiq kishte pritur me shumë tam-tame Kushnerin dhe djalin e Trumpit në Beograd (Donald Trump Jr.).
Në njoftimin e firmës së Kushnerit mbi varrosjen e planeve për investim në Beograd, më saktë në vendin ku sot gjenden rrënojat e Shtatmadhorisë së armatës jugosllave dhe serbe, thuhet se kjo po bëhej në shenjë respekti ndaj popullit serb dhe Beogradit. Askund nuk përmendej respekti për Vuçiqin, të cilin anëtarët e familjes Trump e konsideronin partner.
Në maj të këtij viti, Vuçiqi u shfaq në Florida me dëshirën për të hyrë në një mbledhje të Partisë Republikane, me ç’rast shpresonte të takonte Donald Trumpin. Vizita u ndërpre papritmas me arsyetimin zyrtar se Vuçiqi ndiente dhimbje të mëdha në gjoks dhe presidenti serb u kthye në Beograd. Revista “Vreme” atëbotë pyeti: dhimbje në gjoks apo fiasko diplomatike?
Vardisja disamujore ndaj klanit Trump, me shpresën se, krahas investimit të tyre në Beograd, do të shmangeshin edhe sanksionet amerikane kundër industrisë serbe të naftës NIS, e cila 45 për qind i takon koncernit shtetëror rus Gazprom Neft, 11 për qind një firme të afërt me Gazprom Neft dhe 30 për qind shtetit serb, nuk solli synimin e dëshiruar. Sanksionet, fillimisht të paralajmëruara nga presidenti Joe Biden, hynë në fuqi nën qeverinë e Trumpit.
Vuçiqi refuzoi kërkesën e Bashkimit Europian për t’i vendosur sanksione Rusisë për shkak të agresionit të Moskës ndaj Ukrainës. Për të qetësuar Brukselin (dhe Washingtonin), presidenti serb nisi një lojë: firmat serbe furnizuan Ukrainën me municion e armë, jo në mënyrë direkte, por duke u shitur armë disa shteteve europiane, të cilat pastaj ia dërgonin Kievit. Vuçiqi thoshte se nuk di gjë për këtë biznes, se nuk është përgjegjës se ku i dërgojnë armët vendet e tjera e kështu me radhë. Sipas gazetës “Financial Times”, ndërmarrjet serbe kanë shitur armë në vlerë prej rreth 800 milionë eurosh. Këto armë kanë përfunduar në Ukrainë.
Rusët që sundojnë në Moskë mund të jenë gjithçka tjetër, por nuk janë as budallenj, as naivë. Vuçiq e dinte se në Kremlin po rritej mllefi kundër lojës së tij të dyfishtë: në njërën anë refuzonte t’i vendoste sanksione Rusisë, në anën tjetër firmat serbe shisnin armë për Ukrainën. Në përpjekje për të ulur tensionet, Vuçiq mori pjesë në fillim të majit në paradën ushtarake në Moskë, e cila shënonte përfundimin e Luftës së Dytë Botërore 80 vjet më parë. Kjo ishte një goditje ndaj BE-së, meqenëse Serbia është kandidate për anëtarësim dhe BE ishte kundër vizitës. Disa shtete të BE-së madje ia ndaluan Vuçiqit të drejtën për të fluturuar mbi territoret e tyre gjatë rrugës për në Moskë.
Nëse Vuçiqi me vizitën në Moskë eventualisht ka menduar se do t’ua hidhte rusëve, atëherë ky ishte kalkulim i tij i gabuar. Sepse në fund të majit shërbimi sekret rus SVR e akuzoi Serbinë (lexo: Vuçiqin) se po ua fuste “thikën pas shpine” vëllezërve rusë. Qëllimi i dërgesave me armë nga Serbia në Ukrainë, sipas rusëve, është të vriten dhe gjymtohen ushtarë dhe civilë rusë. “Duket se dëshira e prodhuesve serbë të armëve dhe mbështetësve të tyre për të përfituar nga gjaku i popujve vëllazërorë sllavë i ka bërë të harrojnë plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë”, deklaroi SVR.
Këtë javë u bë e ditur se para një muaji (më 17 nëntor) në Moskë vdiq në rrugë Radomir Kurtiq. Ai ishte përfaqësues i firmës shtetërore serbe të armatimit “Jugoimport SDPR”. Në mediat serbe të afërta me regjimin u botuan akuza kundër Moskës, për shkak se shërbimet sekrete të Serbisë nuk kanë marrë kurrfarë informatash nga shërbimet ruse mbi vdekjen e dyshimtë të Radomir Kurtiqit. Një komision i ndërmarrjes “Jugoimport SDPR” inspektoi zyrat në Moskë dhe konstatoi se mungojnë një sërë dokumentesh dhe hard-disku i kompjuterit. Duket se jo vetëm “karriges serbe” në Washington, por edhe asaj në Moskë po i lëkunden këmbët.
Zyrtarët e Brukselit janë treguar tepër tolerantë ndaj Vuçiqit. E kanë lavdëruar kur qindra mijëra serbë e serbe vërshonin rrugët dhe protestonin kundër tij pas rrëzimit të një pjese të kulmit të stacionit të trenit në Novi Sad (16 të vdekur). E kanë quajtur partner. E kanë ftuar në darka. E kanë vizituar në Beograd. Nuk i kanë bërë presion kur një bandë terroriste e afërt me regjimin e tij sulmoi Kosovën, vrau një polic, plagosi një tjetër. E kanë lejuar të tallet kur tha se nuk mund të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën, sepse po i dhemb dora. Pa asnjë pasojë po kalon fushata shumëvjeçare antiperëndimore e mediave të regjimit serb, të cilat orë e çast akuzojnë Perëndimin se e ka ndërmend ta vrasë Vuçiqin, ndërkohë që nga Perëndimi rrjedhin miliarda për ta bërë Serbinë të aftë e të zhvilluar për të hyrë në BE. Këtë javë Serbia nuk mori pjesë në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit. “Në fund të fundit, ky është vendim i tij”, ky ishte komenti i një zëdhënëseje të BE-së.
Edhe kjo “karrige serbe” ka filluar të lëkundet.
Tani për tani, me katër këmbë duket se ka mbetur vetëm “karrigeja serbe” në Pekin. Këtë javë Vuçiqi paralajmëroi një vizitë në Kinë. Sipas tij, ky vend është “një mik i sinqertë dhe i çeliktë i Serbisë”. (A2 Televizion)