
Afera e inceneratorëve ishte fokusi i një deklarate për mediat të nënkryetarit të Rithemelimit në PD, Luçiano Boçi.
Duke iu referuar dokumentit për “Politikat Prioritare” të qeverisë, Boçi tha se në dy vitet e ardhshme është planifikuar të shpenzohen 113 milionë euro shtesë për menaxhimin e mbetjeve në Elbasan dhe Fier.
“Edi Rama ka filluar t’i shpenzojë që tani 7 miliardët imagjinarë që po nxjerr nga nëntoka në Shpirag. Për dy vitet e ardhshme ai ka vendosur të japë edhe 113 milionë euro ekstra për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Fierit dhe Elbasanit. E ritheksojmë: për Elbasanin dhe Fierin, pjesë e paketës gjysmë miliard euro të incineratorëve. Pa pyetur për faktin kokëfortë se koncesionet e mëparshme prej 50 milionë eurosh për ndërtim inceneratorësh janë nën gjykim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Pa çarë kokë për dështimin e kalimit nga riciklimi i mbetjeve te incenerimi, qeveria ka hartuar dokumentin e “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026, ku liston si projekte “unike me rëndësi kombëtare”, krijimin e zonave funksionale për mbetjet në Elbasan dhe Fier.”
Deklarata e Luçiano Boçit
Boçi në vijim zbërtheu vendimin në shifra për secilën prej dy bashkive, duke bërë me dije se për Elbasanin parashikohen 50.1 milionë euro investime, ndërsa për Fierin 63 milionë.
Sipas nënkryetarit të Rithemelimit, projekti është përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe koordinimit te Ndihmës (SASPAC), në varësi direkte të Kryeministrit, që drejtohet nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Firmosësi i famshëm fap e fap i incineratorëve, dhe njeriu nën hetim për masakrën në shëndetësi, Ali baba i streilizimit, janë bërë bashkë për të shtuar edhe 113 milionë euro në lumin e zi që ka marre teposhtë edhe katër herë aq para publike. Rama dhe Beqaj janë të vetmit qeveritarë në botë që arrijnë të kenë guximin për ta martuar dështimin me vjedhjen, dhe për ta paraqitur si ‘politikë prioritare me rëndësi unike kombëtare.”
Në fund ai theksoi se Rama i shmanget interesit të gazetarëve mbi marrëzitë që kushtojnë miliona euro dhe janë abuzime me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke iu referuar një situate të krijuar në konferencën për shtyp të shefit të qeverisë.
Për këtë, vetë Rama reagoi pasditen e djeshme në Twitter, ku tha se akuzat për shpenzimin e 113 milionë eurove për menaxhimin e mbetjeve në Fier dhe Elbasan, i ngjajnë shprehjes popullore “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”.
“Po i bashkëngjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë! Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin!” (A2 Televizion)
Edi Rama në Twitter