
Prania e OSBE-së në vendin tonë, e kontaktuar nga A2 në lidhje me faktin që ambasadori i OSBE-së nuk është më i mirëpritur në Presidencë, ka theksuar se OSBE-ja inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet shqiptare.
“OSBE e ka mbajtur shënim qëndrimin e Presidentit të Republikës. Si një partner i vjetër i Shqipërisë, OSBE inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet shqiptare dhe mbetet e angazhuar për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për vazhdimësinë e agjendës kombëtare”, shprehet zyra e OSBE-së në vendin tonë.
Kabineti i Presidentit i ka dërguar ditën e hënë një shkresë zyrtare prezencës së OSBE-së në Tiranë, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagen dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme, ku shpjegon dy arsyet që kanë çuar Ilir Metën të ndërpresë marrëdhëniet me ambasadorin Borchardt: fakti që vuri në diskutim Dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri në qershor 2019, si dhe i tregoi publikisht gishtin qytetarëve shqiptarë. (A2 Televizion)