Kryengritje… protesta… dorëheqje… zgjedhje… operacione ushtarake delikate… klimë të çmendur… dhe procese historike. Zhvillimet ndërkombëtare nuk gjetën asnjë moment paqeje në 365 ditët e vitit 2019.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro nisi mandatin e tij të dytë, duke sfiduar kritikët në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine, që e konsideronin atë uzurpues ilegjitim të një kombi ku kaosi ekonomik solli krizë ekonomike. Qindra mijëra qytetarë pushtuan rrugët e Karakasit me një kërkesë të vetme: t’i jepet fund qeverisë Maduro, ndërsa Uashingtoni njohu kreun e opozitës, Juan Guaido si liderin e ligjshëm të Venezuelës. “Zotohem të marr të gjithë pushtetin e ekzekutivit kombëtar si president i përkohshëm i Venezuelës”, thoshte ai.
Protestat vazhduan dhe u bënë më të ashpra, ndërsa autoritetet ndërhynë për të parandaluar atë që Maduro e konsideronte “grusht shteti”. “Do të mposhtim grushtin e shtetit që synon të ndërhyjë në jetën politike, të shkelë sovranitetin e Venezuelës dhe të instalojë një regjim marionetë për interesa të perandorisë Amerikane dhe aleatëve të tyre perëndimorë”, shprehej Maduro. Rezultati: Maduro është ende president i Venezuelës, ndërsa protestat e opozitës dhe qytetarëve vazhdojnë.
Ngjarjet u zhvendosën në Lindjen e Mesme. Ushtria amerikane por edhe forca të tjera intensifikuan aksionet kundër ISIS për t’i dhënë goditjen finale organizatës terroriste. Një operacion special dhe shumë sekret i ushtrisë amerikane në veri-perëndim të Sirisë do të sillte një zhvillim shumë të rëndësishëm.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump njoftoi vdekjen e liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, duke vulosur përfundimisht certifikatën mortore të ISIS. “Abu Bakr al-Baghdadi ka vdekur. Ai vdiq si një qen, si frikacak. Ai po qurravitej, bërtiste dhe qante”, do të shprehej Trump.
Lideri i ISIS hodhi veten në erë brenda një tuneli nëntokësor bashkë me 3 fëmijët e tij, i ndjekur nga qentë specialë të ushtrisë amerikane. Vendndodhja e tij ishte zbuluar nga një bashkëshorte e Al-Baghdadit që siguroi dhe provat e nevojshme të ADN-së.
Ofensiva ushtarake e Turqisë në rajonin kufitar Sirian la një shenjë në 2019, ndërsa militantët kurdë u tradhtuan nga forcat amerikane, me të cilët kishin luftuar për disa vite kundër ISIS. Rezultati: Siria vijon të jetë në kaos të plotë; Shteti Islamik konsiderohet i shpërbërë, ndërsa shërbimet sekrete të disa shteteve perëndimore paralajmëron përpjekjet për ringritjen e tij.
Zhvendosemi në një tjetër cep të globit. Trazirat në Hong Kong dominuan për shumë kohë lajmet ndërkombëtare të vitit 2019. Protestat e dhunshme dhe të përjavshme u nxitën nga ligji i ekstradimit, të cilin liderja Carrie Lam e rrëzoi. Kjo nuk ndaloi manifestimet dhe dhunën, por frymëzoi qytetarët që të kërkonin më shumë pavarësi nga Kina.
Pekini nuk mund të qëndronte duarkryq dhe me një video të forcave speciale tentoi të intimidonte protestuesit. Megjithatë, kjo i nxiti ata më tepër. Ekonomia e Hong Kongut pësoi humbje historike me aeroportin kryesor në kaos total thuajse gjithë kohës. Rezultati: shumë të vdekur të plagosur, por asnjë lëshim tjetër nga qeveria e Hong Kongut.
Franca ishte një tjetër shtet i përfshirë nga protestat masive. Viti 2019 për francezët nisi me manifestimet e Jelekëve të Verdhë kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe përfundoi me grevën e punonjësve për reformën në pensione të presidentit Emmanuel Macron.
Qeveria nuk heq dorë nga plani për unifikimin e 40 skemave të ndryshme të pensioneve, por nga ana tjetër greva mbarëkombëtare ka paralizuar transportin në shumë qytete të vendit. Rezultati: asgjë nuk është zgjidhur as në çmimin e karburantit dhe as në reformën e pensioneve. Por shërbeu si frymëzim për protesta të shumta në Amerikën Latine.
Zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe ekipi i ri drejtues i Unionit, natyrisht ishte ndër zhvillimet kryesore. Partitë tradicionale arritën edhe njëherë të mbanin frerët e Komisionit të BE-së, por partitë nacionaliste shënuan një rezultat mjaft pozitiv.
Caktimi i presidentit të Komisionit Europian lëkundi paksa marrëdhëniet Gjermani-Francë, por që pas shumë debatesh, në fund u dakordësuan për emrin e Ursula von der Leyen. Rezultati: Ftohja mes Berlinit dhe Parisit vazhdon, bashkë me të dhe planet për reformimin e Bashkimit Europian.
Largimi mes lotëve i kryeministres britanike, Theresa May, pas dështimeve të vazhdueshme për Brexit, i hapi rrugë lidershipit të fenomenit politik “Boris Johnson”. “Bo-Xho” mori drejtimin e partisë Konservatore, qeverisë Britanike dhe më e rëndësishmja mori frerët e divorcit nga Bashkimi Europian.

Premtoi rinegocimin e marrëveshjes së vjetër për Brexit, dhe bindi Brukselin të bënte ndryshime. Por as kjo nuk i mjaftoi për të aprovuar ujdinë në Dhomën e Komunëve. Londra kërkoi shtyrje pas shtyrje për të finalizuar largimin përfundimtar nga Unioni. Ngërçi dhe pasiguria politike, shtynë kryeministrin britanik, Johnson, që të kërkonte zgjedhje të parakohshme në dhjetor, që nuk mbaheshin prej dekadash në atë muaj.
“BoXho” solli një triumf historik për Konservatorët, të pa përjetuar prej dekadash, ndërsa fitoi një maxhorancë të plotë në parlamentin britanik. “Ne morëm një mandat të shkëlqyer nga këto zgjedhje për të përmbyllur Berexit. Ne do të respektojmë afatin e 31 janarit”, do të shprehej ai. Rezultati: Largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian, përfundimisht po ndodh.
Ngrohja Globale dhe Ndryshimet Klimatike ishin pjesë kryesore e agjendës së 2019-ës. Aktivistja, Greta Thunberg, u bëri thirrje liderëve botërorë nga Parisi për të vepruar, ndërsa në Amerikën e Jugut, një zjarr masiv po digjte mushkëritë e planetit tonë: Amazonën në Brazil dhe Bolivi.
Nga Europa në Shtetet e Bashkuara duke kaluar në Australi, Afrikë dhe Amerikën Latine, manifestimet në mbrojtje të planetit pushtuan mbi 140 shtete të ndryshme të botës, dhe të gjithë lidheshin në një emër: Greta Thunberg. Aktivistja, personazh i vitit nga revista prestigjioze “Time”, nga samiti për Klimën në Kombet e Bashkuara do të lëshonte mesazhin më të fuqishëm ndaj liderëve globalë.
“Unë nuk duhej të isha këtu, por në shkollë, në pjesën tjetër të oqeanit. Sërish ju vini tek ne të rinjtë dhe kërkoni shpresë. Si guxoni? Ju më keni grabitur ëndrrat dhe fëmijërinë time me fjalë boshe, dhe prapë jam nga fatlumët. Njerëzit po vuajnë, po vdesin, i gjithë ekosistemi po shembet”.
Rezultati: Përveç presidentit amerikan, Donald Trump, Bota është ndërgjegjësuar për pasojat serioze të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, që dita ditës po bëhen dhe më të prekshme.
Shpëtoi nga hetimi për bashkëpunimin me Rusinë, por hyri në një tjetër. Natyrisht presidenti amerikan, Donald Trump, nuk mund të mungonte në këtë listë ngjarjesh që shënuan dhe i dhanë formë vitit 2019. Aprovimi i dy artikujve me akuza zyrtare për “Impeachment”, thënë ndryshe procesi për hetim dhe shkarkim, hyri në librat e historisë së Shteteve të Bashkuara, me Trump që rrezikon të hiqet nga posti për abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit.
Akuzat zyrtare erdhën pas dyshimeve serioze se Trump i bëri shantazh dhe presion Ukrainës, duke ndaluar për disa kohë ndihmën financiare për ushtrinë, në mënyrë që Kievi të niste një hetim për të dëmtuar rivalin politik demokrat, Joe Biden.

Tashmë topi është në fushën e Senatit, që kontrollohet nga Republikanët, dhe me shumë mundësi do ta rrëzojë apo pengojë mundësinë e shkarkimit të presidentit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mohon çdo shkelje dhe e konsideron procesin si çmenduri politike. Rezultati: Donald Trump në librat e historisë, sigurisht jo për diçka pozitive, por është presidenti i tretë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të hetohet për shkarkim nga Senati. (A2 Televizion)