2018-ta solli një zbutje të tensioneve me regjimin komunist te Penianit. Motra e Kim Jong Un u bë pjesëtarja e parë e familjes në pushtet që udhëtoi drejt jugut, për lojërat olimpike të Pjongcang. Ngjarja do të pasohej nga një takim në muajin prill mes Kim dhe presidentit koreano-verior Moon Jae In.
Në qershor erdhi takimi i parë në histori mes një presidenti amerikan dhe një lideri te regjimit komunist në Singapor. Trump tha në Twitter se ishin gati për hapjen e një kapitulli të ri.

Presidenti amerikan u takua gjithashtu me Vladimir Putin në Helsinki, por shkaktoi polemika kur iu përgjigj një pyetjeje lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s. “Ai tha se nuk ishte Rusia. Dhe unë nuk shoh ndonjë arsye përse të jetë”, tha Trump. Të nesërmen sqaroi se donte të thoshte “përse të mos jetë”.
Frika e një lufte globale tregtare u nxit nga tarifat e Trump ndaj çelikut dhe aluminit, ndërsa Kina, Kanadaja, Meksika e Bashkimi Europian u kundër përgjigjën me taksa të reja ndaj importeve amerikane. Trump zemëroi edhe më tej aleatët europianë duke tërhequr Shtetet e Bashkuara nga ujdia bërthamore me Iranin.
Megjithatë liderët botërorë u mblodhën bashkë në Paris në muajin nëntor, për të shënuar 100 vjetorin e fundit të luftës së parë botërore.
Gjithashtu në Europë, Angela Merkel njoftoi se mandati i saj i katërt si kancelare do të ishte edhe i fundit.

Ndërkohë, britanikja Theresa May u përball më një kalvar sfidash lidhur me Brexit. Pas negociatave disa mujore ajo arriti një marrëveshje me krerët e Bashkimit Europian, për kushtet e divorcit. Por në shtëpi e priti një luftë e ashpër, me ligjvënësit që e kundërshtuan ujdinë. “Mund të them se nuk ka asnjë marrëveshje më të mirë të mundshme”, tha ajo.
Shkëputja përfundimtare nga unioni do të ndodhë në 29 mars të 2019-s. Në Britani u zhvillua edhe dasma më e përfolur e vitit, ajo mes Princit Harry dhe aktores amerikane Meghan Markle në kështjellën Winsdor.
Vëmendje të madhe gjeneroi edhe historia e pabesueshme e 12 djemve tajlandezë dhe trajnerit të tyre që u nxorën pas dyjavësh të bllokuar në një shpellë të përmbytur.
Por historia me fund të lumtur ishte në kontrast me tragjedinë që goditi Azinë Juglindore në muajin shtator, kur një tërmet me magnitudë 7.5 ballë shkaktoi një cunami në Indonezi. Mbi 2100 persona humbën jetën.

Lufta civili vazhdoi në Siri ku një sulm i pretenduar me armë kimike kundër civilëve nxiti sulme të koordinuara nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe në prill. Regjimi sirian dhe aleati kyç Siri mohuan përfshirjen ne sulmin kimik. Sekretari i përgjithshëm i OKB tha se bëhej fjalë për krizën më të rëndë humanitare në histori, me më shumë 20 milion njerëz në nevojë për ushqime, ujë të pijshëm dhe ilaçe.
Vrasja misterioze e gazetarit dhe kritikut të regjimit saudit Jamal Kashoggi në ambasadën saudite në Stamboll gjeneroi kritika të ashpra ndërkombëtare. Autoritetet e Riadit mohuan përfshirjen e Princit të Kurorës Mohamed Bin Salman në vrasje. Gjithsesi, CIA arriti në përfundimin se ai urdhëroi personalisht vrasjen, bazuar në një regjistrim të siguruar nga qeveria turke. (A2 Televizion)