Braktisja e Ukrainës, sulmet ruse dhe eksodi masiv i qytetarëve drejt vendeve fqinje

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2022, 15:54 | Bota
Braktisja e Ukrainës, sulmet ruse dhe eksodi masiv i qytetarëve drejt

Janë detyruar prej ditësh, të braktisin gjithçka për të cilën kanë punuar, shtëpitë, punën, biznesin. Me valixhe të mbushura me rroba, disa me çanta të tëra me lodra për fëmijë, mijëra vetë kanë nxituar drejt kufirit me vendet fqinje, për ti shpëtuar luftës. Disa bashkohen në kufi, siç është rasti i Anës, që pas 3 ditësh larg tyre, takon e përqafon vajzën dhe djalin.

Katerina dhe Klemensi presin motrën e Katarinës, në kufirin me Poloninë. E motra bashkë me 3 fëmijët 5, 6 dhe 12 vjeç, ka ecur në këmbë për më shumë se 30 orë. “Po presim motrën time dhe nipër e mbesat. Ata janë 5, 6 dhe 12 vjeç. Po vijnë nga Odesa. Kushedi për sa orë kanë ecur në këmbë”, thotë ajo. “Më shumë se 30 orë”, thotë Klemens.

Edhe pse Presidenti Zelenksy nxori urdhër që meshkujt nga mosha 18 deri në 60 vjeç të mos largohen nga vendi por të luftojnë, jo të gjithë e bëjnë këtë. Ka edhe nga ata që nuk ndahen dot nga familja, siç ndodh me një familje në kufi me Sllovakinë. “Kam ardhur me gjithë familjen, 3 djemtë dhe bashkëshortin, 2 motrat e mia dhe fëmijët e tyre. Jemi ukrainas, nga Zhitomir. Braktisëm gjithçka sepse dëgjuam raketat në aeroport. U zgjova nga zhurma e raketave dhe zjarri përqark”, tha Oxana Levcuk. “Erdhëm deri në kufi me taksi, tani do shkojmë në Pragë, atje ku ndodhet i sigurt, bashkëshorti im”, tregon Miroslava Krackovska.

Janë me mijëra, në radhë për pak ushqim, ndihmë mjekësore e ndoshta një ëmbëlsirë apo një lodër për të vegjlit. Sipas zyrës së OKB-së për refugjatët, vetëm në 2 ditët e para të luftës në Ukrainës, mbi 120 mijë qytetarë janë larguar tashmë, kryesisht tek Polonisë, Sllovakisë e Moldavisë por shtetet fqinje, i kanë hapur dyert për t’i pritur. Po sipas Kombeve të Bashkuara, pritet që mbi 4 milionë njerëz të kalojnë kufirin, ndërkohë që konflikti i armatosur vijon”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos