Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kubela, u ka bërë thirrje grave ruse që të marrin në shtëpi burrat, bijtë dhe baballarët e tyre, që janë pjesë e pushtimit rus të vendit të tij.
Duke postuar në Twitter një foto me ushtarë rusë të kapur nga forcat ukrainase, Kubela thotë: “Nëna, gra dhe bija të ushtarëve rusë! Merrini burrat tuaj në shtëpi. Ata erdhën në një tokë të huaj për të vrarë njerëz të pafajshëm, për të shkatërruar shtëpitë tona. Qeveria juaj po gënjen. Populli ukrainas i priti ata me armë, jo me lule. Kërkojuni autoriteteve që të ndalojnë pushtimin, shpëtoni të dashurit tuaj!”.
Më herët, Kubela u bëri thirrje vendeve të botës që të ndërpresin blerjen e naftës ruse, për të shkatërruar ekonominë e saj, si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Dita e tretë e sulmit rus, çfarë duhet të dini (A2 Televizion)
- Luftimet përreth Kievit kanë vijuar përgjatë natës. Ushtria ukrainase thotë se ka arritur të zmbrapsë forcat ruse nga bazat e saj pranë qyteteve kryesore.
- Një godinë banimi në Kiev është dëmtuar nga bombardimet.
- Në mëngjes, Presidenti Volodymyr Zelensky postoi një video të tij në qendër të Kievit, duke hedhur poshtë raportimet se kishte urdhëruar dorëzimin dhe u zotua se Ukraina do të mbrohej.
- Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se forcat e saj kanë marrë nën kontroll qytetin juglindor Melitopol, por Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se ka dyshime mbi këtë pretendim.
- Rreth 25 shtete të ndryshme kanë rënë dakord që të ndihmojnë Ukrainën me armatime.
- Ministria ukrainase e Shëndetësisë thotë se deri tani 198 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy fëmijë, dhe më shumë se 1000 persona janë plagosur.
- Polonia refuzon të luajë kundër Rusisë në mars një ndeshje futbolli të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se 100 mijë persona janë larguar nga Ukraina në 48 orët e fundit.