Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot shembjen e ndërtimeve pa leje në Durrës. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se fillimisht janë shembur 4 objekte në Kepin e Rodonit dhe ky operacion do të zhvendoset përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit. Sipas tij, kontrolli i territorit do të ngrihet në një tjetër nivel duke përdorur teknologjinë, ndërkohë që janë ashpërsuar ndëshkimet në Kodin Penal.
“Në këto dy javë të para kemi shembur dhjetëra objekte pa leje edhe në Ksamil, Shëngjin e Velipojë. Krahas ashpërsimit të Kodit Penal kur është fjala te ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit, ne do ta ngremë në një tjetër nivel kontrollin e territorit duke përdorur teknologjinë më të fundit e jo vetëm, si dhe nuk do të tolerojnë askënd që guxon të zaptojë çdo metër katror tokë kudo qoftë, në bregdet jo e jo, por as në zonat e mbrojtura apo gjetkë", shprehet ministri Çuçi.
Veç shembjes së dhjetëra objekteve IKMT ka vendosur deri më tani 67 milionë lekë të reja gjoba për 44 subjekte. Pritet që këto shifra të rriten teksa operacioni do të shtrihet edhe në zona të tjera të bregdetit. Më pas pastrimi i territorit do të vijojë në zonat e mbrojtura dhe përgjatë akseve kombëtare. (A2 Televizion)