Një person ka mbetur i plagosur rëndë pasi makina e tij ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar 40 metra në humnerë.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të shtunës, në rrugën e vjetër Kukës-Tiranë, pranë minierës së Kalimashit.
Drejtuesi i mjetit, i identifikuar si R.P, 58 vjeç, besohet se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të lodhjes, ose të ndonjë problemi shëndetësor.
Policia dhe shërbimi zjarrfikës kanë mbërritur në vendin e aksidentit dhe kanë arritur ta nxjerrin të plagosurin nga makina. Pas ndihmës së parë që ka marrë në spitalin e Kukësit, ai është dërguar në Tiranë për trajtim më të specializuar. Gjendja e tij është e rënduar, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)