
Kur kryeministrja britanike Theresa May zgjidhi problemet me Bashkimin Evropian për kufijtë e Irlandës së Veriut, ndoshta mendoi që kishte kaluar ngërçin më të madh për realizimin e Brexit.
Por ja që problemet nuk mbarojnë kurrë për Londrën zyrtare, dhe në horizontin e saj jugor shfaqet befasishëm një kundërshtar i papritur: Spanja.
Qeveria spanjolle me anë kryeministrit të saj Pedro Sanchez ka kërcënuar që nuk do të votojë marrëveshjen me Londrën për Brexit në qoftë se nuk zgjidhet me parë çështja e Gjibraltarit.

Kolonia britanike me 30 mijë banorë ndodhet në majën jugore të gadishullit iberik, i rrethuar vetëm nga rajoni spanjoll i Andalusisë.
Çdo ditë rreth 10 mijë spanjollë i drejtohen qytetit anglez për të punuar, por kjo rutinë mund të vështirësohet nga rikthimi i kontrolleve në kufi pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE.
Andalusia do shkojë në votë më 2 dhjetor, dhe ekzekutivi spanjoll nuk mund ti lejojë vetes të vej në rrezik aq vende pune në një nga rajonet e saj më të varfra.

Një votë kundër e Madridit në Këshillin e Jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian të së dielës nuk ka fuqinë e një vetoje për marrëveshjen me Londrën, por Brukseli dëshiron me çdo kusht një pranim unanim i konditave të dakordësuara.
Për këtë arsye, traktativa të ethshme po kryen për të bindur spanjollët që të zbusin pozicionin e tyre të prerë mbi territorin e pushtuar nga anglezët në 1713. (A2 Televizion)