Armando Broja mori kritikat e para pas dy paraqitjeve me Kombëtaren, kundër Kazakistanit dhe veçanërisht Lituanisë, por sot iu përgjigj më së miri në kampionatin holandez, me një performancë që zor mund ta harrojë.
Kundër Den Haag në transfertë trajneri gjerman Letsch i besoi shqiptarit fanellën e titullarit me Vitesse, dhe 19-vjeçari nuk zhgënjeu, madje mahniti të gjithë me një dygolësh.
Broja shënoi golin e parë në minutën 32, duke finalizuar me sukses një aksion konfuz. Ekipi i tij u gjend në vështirësi pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Tannane, po rezistoi dhe mori trepikëshin pikërisht falë sulmuesit shqiptar, që dyfishoi në minutën 71 falë një aksioni personal të denjë për emrat më të mëdhenj të futbollit europian.
Me fitoren e “dhuruar” nga Broja, Vitesse ndodhet në vendin e parë të klasifikimit, me 12 pikë si Ajaksi. (A2 Televizion)