
Lefter Gështenja është ideatori i p/ligjit të dërguar në parlament, përmes të cilit kërkon të ndalohet përfshirja e administratës në mediat sociale për të zgjeruar jehonën e aktiviteteve të Qeverisë dhe institucioneve të tjera përmes pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjes së postimeve. Duke marrë shkas nga prezantimi i draftit, deputeti demokrat kërkoi edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. “Gjithashtu i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti prezencës së OSBE-së në Tiranë që të bëjë presionin e duhur që këto ndryshime ligjore të miratohen sa më pare, nëse duam vërtetë një administrate ku të sundojë ligji, barazia, gara, meritokracia, transparenca, profesionalizmi dhe paanësia politike”, tha Gështenja.
P/ligji erdhi si reagim pas publikimit në media të lajmeve mbi aplikacionin “Aktiv1sti” të ideuar nga Partia Socialiste, për të cilin opozita thotë se përmes një sistemi pikëzimi, i bëhet presion administratës që të përfshihet në pëlqimin e postimeve të institucioneve në mediat sociale. Dënimi i propozuar në këtë projektligj është jo vetëm largimi nga puna, por edhe gjobitja ose dënim deri në 6 muaj burg si për nxitësin ashtu edhe për kë pranon të përfshihet në këto aktivitete.
“Këto ndryshime ligjore do i kthejnë dinjitetin administratës publike dhe të gjithë nëpunësve të shtetit të cilët në këto vite janë shantazhuar për vendin e punës apo janë detyruar të punojnë për pushtetin. Përmes këtij aplikacioni, të gjithë përdoruesit humbasin privatësinë, kontrollohen dhe monitorohen deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste”.
Mazhoranca ka mohuar çdo formë presioni duke ngulur këmbë se gjithçka është transparente dhe në vullnetin e lirë të mbështetësve të saj për t’u bërë pjesë apo jo.
Drafti i PD parashikohet të futet për shqyrtim në komisionet parlamentare si një rishikim i ligjit për nëpunësit civilë dhe kërkon minimalisht 84 vota për miratim. (A2 Televizion)