
Një veprim të maturuar që shmang mosfunksionimin e KZAZ-ve e kanë konsideruar Gerta Meta, Aleksandër Çipa dhe Sami Neza, vendimmarrjen e sotme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i cili miratoi anëtarët e KZAZ-të të PS-së, LSI-së dhe PSD-së për zgjedhjet e 14 majit, duke lënë për një moment të dytë dy listat e PD-së. Në studion e Debatit në A2 CNN, drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike Gerta Meta theksoi se KQZ po shqyrton të dy listat dhe kjo e qetëson situatën, e kundërta sipas saj do të ishte alarmante.
“Ajo që morëm si siguri nga KQZ janë duke shqyrtuar listat dhe verifikimet përkatëse të dy listave të PD, të cilat kërkojnë kohën e vet, si balanca gjinore, sa realisht janë banorë zone dhe verifikimi me dëshminë e penalitetit. Vendimi i gjykatës nuk ka lidhje me procesin e miratimit të komisionerëve. Çështja është që ne nuk duhet të bëjmë sikur nuk e dimë se çfarë po ndodh, kjo nuk e ndihmon procesin dhe ajo që kemi si pjesë e përfaqësimit të shoqërisë civile. E gjithë ky puzzle zgjedhor; A do jetë PD e regjistruar si subjekt zgjedhor? Është pikërisht nga vendimmarrja e gjykatës. Transparenca e gjykatës duhet të kishte llogaridhënie pse është spostuar në kohë. Situata është më e qetësuar sa kohë është në shqyrtim. Do të ishte alarmante nëse KQZ nuk merrte në konsideratë asnjë nga listat”. Sa për vulën e PD-së, ajo thekson se është shqetësim madhor jo vetëm për PD, por me kosto edhe për demokracinë.
Për analistin Sami Neza, me vendimin e sotëm KQZ shmangu mosfunksionimin e KZAZ-ve.
“KQZ arrin të shmangë mosfunksionimin e KZAZ-ve. Nga pikëpamja tjetër kjo është një çështje që në njëfarë mënyre edhe Celibashi ka krijuar hapësira për partinë më të madhe të opozitës që letrat të jenë në rregull”.
Edhe Çipa e konsideron një veprim të maturuar të KQZ-së në respekt të ligjit.
“Veprim i maturuar dhe sjellje e përgjegjshme institucionale e KQZ. Ka një kontribut të respektimit të verdiktit ligjor”.
Ilirjan Celibashi njoftoi se listat e PD-së do të kalojnë në një moment të dytë, ndërsa afati përfundimtar sipas tij do të jetë 7 marsi. Ai i bëri apel gjykatës për t’i dhënë zgjidhje konfliktit për drejtimin e PD-së. (A2 Televizion)