Analistët për ngërçin e PD-së në KQZ: Të mos harrojmë që Celibashi është edhe politik

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2023, 21:20 | Politikë
Analistët për ngërçin e PD-së në KQZ: Të

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot listat për anëtarët e KZAZ-ve të Partisë Socialiste, Partisë së Lirisë dhe të asaj Socialdemokrate. Por jo listën e PD, pasi të dy grupimet çuan lista të ndara.

E megjithatë, kjo situatë për analistët nuk pritet që ta lërë partinë më të madhe opozitare në vend pa u regjistruar ne zgjedhje. Sipas tyre, dilema e vetme në këto momente është se cili nga dy grupimet do të regjistrohet.

Në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN, u analizua edhe qëndrimi i kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, i cili për disa ishte teknik, ndërsa për disa të tjerë politik.

Për analistin Sami Neza, Celibashi e ka tagrin, fuqinë dhe staturën që i kanë dhënë Kushtetuta, Parlamenti e Kodi zgjedhor që të vendosë bazuar mbi faktet dhe realitetin.

Neza shpjegon se kryetari i KQZ-së, me qëndrimin e mbajtur ditën e sotme u krijoi palëve brenda PD-së mundësi dhe kohë që të zgjidhin ngërçin që kanë mes tyre dhe të vijnë me një zgjedhje.

“Nuk është kaq teknik. Veprimi që ka kryer sot, e vendos në një kuadër më të gjerë, sesa një kryetar teknik. Ai, duke shfrytëzuar faktin e verifikimit që kërkon kohë të gjatë, në një farë mënyrë ai ka lënë hapësirë për bisedime apo për marrëveshje brenda PD-së.”

Sipas analistit Neza, ky qëndrim e bën Celibashin, diçka më tepër sesa thjesht administruesin e proceseve zgjedhore në vend.

Por a po rrezikohen proceset organizuese zgjedhore nga këto vonesa të krijuara qoftë nga situata në PD, qoftë nga mungesa e një vendimi nga Gjykata e Apelit? 

Gerta Meta, Drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike thotë se mungesa e komisionerëve të PD-së nuk e pengon punën, por përfaqësimi nuk do të ishte i barabartë ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor.

Sipas zonjës Meta, gishti nuk duhet drejtuar vetëm nga KQZ apo Gjykata, ndërkohë që kjo është një çështje e krijuar nga vetë aktorët e PD-së.

“Çështja është që, jo për t’i bërë qefin kryekomisionerit por si asnjëherë tjetër ai e ka kaluar këtë lloj kompetence që ka si administrator. Duke iu referuar edhe deklaratave të forta që ai ka dhënë në një mjedis me gazetarët. Ai u ka bërë një lloj apeli institucioneve shqiptare për të pasur një lloj bashkëpunimi ndërinstitucional...Të jemi të sinqertë, këtë proçke e kanë bërë aktorët e PD-së. Nëse nuk je i zoti që ta gjesh zgjidhjen brenda strukturave të tua, nuk mund të fajësosh pse nuk e bëri ky apo ai.”

Kujtojmë se lista e PD-së do të kalojë për miratim në një moment të dytë. Celibashi njoftoi se deri më 7 mars do të ketë një përfundim se kush është përfaqësuesi i PD. Por në çdo rrethanë, ai sqaroi se vendimmarrja do jetë strikte bazuar në Kodin Zgjedhor. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/08/rreziku-i-regjistrimit-te-pd-ne-zgjedhje-meta-do-te-ishte-alarmante-nese-kqz-nuk-merrte-ne-shqyrtim-listat/

A2 CNN Livestream

Latest Videos