Burime për A2: Reforma Zgjedhore votohet në seancën e 23 korrikut

Nga A2 CNN
9 Korrik 2020, 15:32 | Politikë
Burime për A2: Reforma Zgjedhore votohet në seancën e 23 korrikut

Partia Socialiste është e vendosur të kalojë Reformën Zgjedhore në seancën e 23 korrikut, një javë para afatit. Burime për A2 bëjnë të ditur se Partia Socialiste ka mbledhur pas seancës grupin parlamentar, për të diskutuar pikërisht për hapat që duhen ndjekur.

Pritet që kodi të kalojë javën e ardhshme në Komisionin e Ligjeve dhe mundësisht të jetë gati për seancën e 23 korrikut. “Nuk duhet të humbasim asnjë ditë, por ta çojmë përpara marrëveshjen e dakordësuar. Duhet miratuar drafti i Reformës Zgjedhore”, mësohet të ketë thënë Balla.

https://youtu.be/dbRiV2l0L0E

“Në datën 23 korrik ne do të kemi vullnetin për të votuar Kodin Zgjedhor të ri sipas marrëveshjes. Ndërkohë, respektojmë vendimin e opozitës parlamentare në kërkesat e saj për përmirësimin e Reformës Zgjedhore në Shqipëri”.

Gjatë seancës plenare, Balla u shpreh tha se PS është e gatshme të pranojë hapjen e listave të partive, edhe pse kjo pjesë nuk është përfshirë në marrëveshjen e arritur me opozitën jashtëparlamentare. Por opozita kërkoi ndërprerje të seancës për të diskutuar për propozimet e tij, ndërsa Myslym Murrizi tha se nuk bëhej pjesë e pazareve.

https://a2news.com/2020/07/09/balla-te-gatshem-per-hapjen-e-pjesshme-te-listave/
https://a2news.com/2020/07/09/murrizi-balles-vazhdoni-merkaton/

Partia Demokratike është shprehur se “nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues”.

“Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit i korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve”, lexohet në një reagim të PD-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos