
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në “Intervistë me Merita Haklaj”, hoqi një paralele mes agresionit rus në Ukrainë me goditjen që Hitleri i bëri Polonisë.
“Nuk kishim përjetuar një situatë të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore. Është një situatë e ngjashme me atë goditje që Hitleri i bëri Polonisë. Jemi në një proces që po formësohet një rend i ri, i cili në thelbë është konfliktual. Shenjat i kemi parë që në vitin 2007, në konferencën e Mynihut të Putin”.
Më tej, ai theksoi se lufta në Ukrainë do të ketë pasojë shumë më të gjëra se vetëm në atë rajon ku është duke ndodhur dhe këtu veçoi 3 elementë që do të kenë ndikim.
“Nuk do të ketë pasojë vetëm për Ukrainën, por për të gjithë mënyrën dhe psikologjinë që ka lidhje me sigurinë europiane. Së dyti, nëse i referohemi edhe esesë së vitit të kaluar të Putin, aty flitet qartë për inspirimin që ai ka te Rusia historike. Kjo është arsyeja që ne po kalojmë në një proces delikat. Po shkojnë drejt konflikteve kinetike. Këtu përgjigja e Perëndimit duhet të jetë në një plan më afatgjatë. E para, është si do të përfundojë ky konflikt. E dyta, çfarë krize humanitare bëhet fjalë. Së treti, janë sanksionet. Kemi një proces të dyanshëm. Është e lehtë të thuash që po vendosen sanksionet, të cilat këtë herë janë të ashpra, por janë nga ato që nuk mund të presion që lufta do të mbarojë për një apo dy javë. Duhet të shohim edhe efektin domino që do të vijë nga këto sanksione”, tha Bushati. (A2 Televizion)