Bushati: Taksa Basha cenon 99% të shqiptarëve

Nga A2 CNN
28 Janar 2021, 20:46 | Politikë
Bushati: Taksa Basha cenon 99% të shqiptarëve

Ervin Bushati, kryetar i PS Tiranë, në një lidhje me “Ditari” në A2, deklaroi se të gjitha premtimet e bëra nga qeveria janë mbajtur.

“Gjithçka që kemi thënë, e kemi bërë. Kemi folur për taksë progresive, atë kemi sot; kemi folur për një rrogë minimale të shtuar, është rritur sot; kemi folur për një biznes të vogël që taksohet më pak, 91% e bizneseve në Shqipëri nuk paguajnë tatim-fitim. Ekonomia dhe shoqëria shqiptare sot është e hapur, vazhdon punën. Ne jemi gjendur pranë kujtdo. Nëse dikush do të parashikonte në datë 9 mars si do të ishim sot, nuk do ta kishte imagjinuar as në ëndrrën më të mirë që vendi do të kishte një funksion të ekonomisë dhe shoqërisë, kur e kemi parë që vende si Italia, Spanja, Anglia janë totalisht të bllokuara sot. Ndërkohë që ne, përtej tërmetit, patëm edhe pandeminë, por Shqipëria e vogël, falë shoqërisë shqiptare, punës së mjekëve, por edhe falë ndonjë pune të mirë të qeverisë, nuk është e bllokuar”, tha Bushati.

Sipas tij, taksa nuk ka të bëjë me largimin ose jo të popullatës: “Nëse do të ishte kështu, Japonia që ka ekonominë më të zhvilluar, nuk do të ishte shteti më i plakur në botë apo edhe Italia. Sot, në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor ka një migrim të qytetarëve, sa kohë që në Perëndim rrogat do të jenë 10 herë më të larta”.

Kur iu vu në dukje se nëse largohen kontributorët, nuk do të gjenden paratë për të rritur paga e pensione, Bushati shpalosi një propozim personal: “Propozimi im personal do të ishte: mjekët që shkojnë të punojnë në një vend tjetër, bashkë me licencën e punës, të marrin një kredi në vendin ku shkojnë dhe të paguajnë arsimin për qytetarët shqiptarë. Sepse kanë marrë një arsim falas këtu, janë paguar nga punonjësit këtu dhe nuk kthejnë asgjë. Merr një kredi, paguaj shtetin për vlerën që je arsimuar falas në Shqipëri dhe nesër punoni jashtë. Duhet të gjejmë një mënyrë që jo të demotivojmë njerëzit që të shkojnë jashtë, por t’u kthejnë lekët mbrapsht personave që me taksat e tyre, kanë paguar shkollimin falas”.

Në lidhje me premtimet e programit elektoral të Partisë Demokratike, Bushati tha: “Taksa e Bashës është më e mirë vetëm për ata që kanë një rrogë mbi 400 000 lekë ose 4 milionë lekë të vjetra në muaj. Sa i përket bizneseve, të vetmet që do të përfitojnë nga taksa e Bashës janë 11 000 biznese në Shqipëri. Nga taksa Basha do të përfitonin vetëm 28 mijë subjekte, ndërsa ne përpiqemi të mbrojmë 99% të shqiptarëve. Taksa Basha cenon ekonominë e 99% të shqiptarëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos