
Lulzim Basha, me grupin e ekspertëve, ka prezantuar programin Ekonomik të Partisë Demokratike.
“Ekonomia sot është në një situatë emergjente. Shqipëria është shkatërruar gjatë këtyre 8 viteve. Vendi ynë ka të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon. Shqipëria fiton kur ekonomia rritet, jo kur shifrat manipulohen për propagandë. Unë besoj se Shqipëria do të fitojë, nën drejtimin e një kryeministri që ka një plan të qartë”, u shpreh Jorida Tabaku, e cila mori e para fjalën.
Më tej, fjalën e mori kreu i PD, Lulzim Basha, i cili theksoi se plani i PD, i quajtur “Shqipëria fiton”, do t’ua kthejë Shqipërinë, shqiptarëve. Ai theksoi se do të dyfishojë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë.
“Kemi punuar me ekspertët më të mirë të ekonomisë, por edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare dhe partitë tona si motra. Kemi punuar për një plan serioz zhvillimi, i cili do t’ua kthejë Shqipërinë, shqiptarëve. Duam të sjellim para jush një program pune, të zbatueshëm, i cili do t’u shërbejë shqiptarëve dhe jo një parti politike. Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme. Kjo plagë e tmerrshme dhemb më shumë se kurrë më parë. Hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë”, tha Basha.
Më tej, Basha premtoi se PD do të hapë 110 mijë vende të reja pune, ndërsa paga minimale do të jetë 36 mijë lekë në muaj.
Basha premtoi uljen e taksave mbi të gjitha llojet e të ardhurave. “Taksë e sheshtë në 9% mbi të ardhurat mbi 30,000 lekë. Ulim detyrimet për sigurime shoqërore në 18%. Totali i taksave dhe tarifave për biznesin e vogël 0.5%. Anulojmë taksën Rama 24 lek/l karburant. Paratë në xhepat tuaj, jo në xhepat e qeverisë. Shqiptarët do të kenë më shumë para për të shpenzuar për vete dhe familjet. Këto janë paratë për të cilat derdhni djersë”.
Kreu i PD premtoi edhe rritje të pensioneve, “jo më pak se 5% në vit. “Ulim çmimin e energjisë elektrike dhe karburantit. Taksë e sheshtë në 9% mbi të ardhurat mbi 30,000 lekë. Ulim detyrimet për sigurime shoqërore në 18%. Totali i taksave dhe tarifave për biznesin e vogël 0.5%. Anulojmë taksën Rama 24 lek/l karburant. Paratë në xhepat tuaj, jo në xhepat e qeverisë. Shqiptarët do të kenë më shumë para për të shpenzuar për vete dhe familjet”.
Lulzim Basha tha më tej se është parashikuar edhe një program për fëmijët, i quajtur “Shqipëria fiton arsimin”. “Tekstet shkollore falas. Do të mbështesim familjet e reja. 3 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë 5 vitet e para të jetës. Mbulojmë interesat e kredive për 5 mijë çifte të reja çdo vit”. (A2 Televizion)