
Mazhoranca i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë detyrimet kushtetuese për t’u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve jashtë atdheut. Por, apeli i Taulant Ballës nga salla e Parlamentit nuk bindi opozitën, që e quajti një shashkë.
“Është detyrim i KQZ të zbatojë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për dhënien e mundësisë shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të votojnë. Vota me postë mund të funksionojë më së miri. Edhe në Kosovë funksionon. Unë nuk gjej arsye që ju demokratët e paepur nuk pranoni që kjo votë të mundësohet. Kjo është një pikë turpi për PD që të vazhdojë ta kundërshtojë”, u shpreh Taulant Balla.
Myslim Murrizi foli për një lojë mediatike të socialistëve, për të cilët thotë se nuk janë realisht të interesuar që të mundësohet vota e emigrantëve.
“Shoh që e keni shashkë dhe lojë mediate. Nuk doni, pasi emigrantët nuk i intimidoni dot me vende pune, nuk i rreshtoni dot në administratë, nuk i jepni dot urdhër të plotësojnë formularët me nga 20 emra dhe sorollateni duke ia lënë topin Celibashkut të Dushkut 2001, që përcolli Nanon në vitin 2005, por kjo besoj se është shenjë e mirë që do të përcjellë edhe Ramën më 25 prill 2021”, tha Murrizi. (A2 Televizion)