
Fitorja e Shpresave me Kosovën shkaktoi jo pak polemika, edhe sepse shumëkush priste që ndoshta Shqipëria t’i hapte rrugë “dardanëve” drejt ëndrrës në kualifikimin e Europianit të 21-vjeçarëve.
Pakënaqësi kishte edhe për festimin e kuqezinjve pas ndeshjes, me trajnerin Alban Bushi që mbyll çdo polemikë.
“Unë luaj çdo javë kalçeto dhe në fund gëzoj gjithmonë kur fitoj edhe pse përballë kam vëllanë tim. Kjo nuk do të thotë se ne u gëzuam se mundëm Kosovën. Absolutisht jo. Edhe Kosova është gëzuar shumë kur ka fituar me Shqipërinë 3-0 dhe ky është një gëzim normal. Ishte ndeshja e parë kur unë isha kundër Kosovës, pasi gjithmonë kur ata luajnë dua që me zemër të fitojnë. Por në këtë ndeshje isha me zemër që të fitonte Shqipëria”, u shpreh trajneri.
Fitorja ndaj Kosovës, e para në këto kualifikuese dhe e para në ndeshje zyrtare, prej 4 shtatorit 2017 në Islandë, shërbeu si konfirmim për trajnerin Bushi.
“Sigurisht që me humbje mërzitesh. Këtu është një ekip kombëtar dhe jo një klub. Zakonisht në një ekip kombëtar shikohet në përgjithësi se si vendoset ekipi dhe se si luhet futboll. Kjo gjë është parë nga drejtuesit tanë dhe unë nuk kam pasur asnjë lloj presioni”, u shpreh Bushi.
Pas pesë ndeshjeve kualifikuese, Shqipëria renditet e katërta në grup, me 5 pikë, një më pak se Kosova. Sfida e radhës për Shpresat është ajo e 15 nëntorit në shtëpi ndaj Anglisë. (A2 Televizion)