
Nga torta dhe dhurata e munguar në Turqi, për mungesën e fatit dhe saktësisë përpara portës, Edy Reja pret një tjetër dhuratë të mundshme për 74-vjetorin e lindjes, të festuar së fundmi. Pas rikthimit në Itali, trajneri i Kombëtares ka një dëshirë nga UEFA, ku edhe pse pranon egoizmin, shpreson te rikthimi i Shqipërisë në garën për një vend në Euro 2020.
“Pas ndeshjes me Turqinë, pamë që lojtarët e tyre festuan me përshëndetje ushtarake. U befasuam, sepse këto janë gjeste që nuk lejohen, por ata e përsëritën edhe ndaj Francës. Shpresoj që UEFA të marrë masa kundër Turqisë dhe ndoshta të na rikthejë në garën për t’u kualifikuar. Është një dëshirë egoiste, megjithatë nuk besoj se ndëshkimi do të jetë më tepër se gjobë financiare”, tha trajneri kueqzi.
Menjëherë pas ndeshjes në Moldavi, në fjalimin përpara skuadrës, trajneri zbuloi pengun e gabimeve të bëra gjatë rrugës nga Shqipëria, ku sipas Edy Reja-s, kuqezinjtë do ta meritonin kualifikimin në finalet e Euro 2020. (A2 Televizion)