Buxheti i Tiranës 2020, Veliaj: Më i madhi në 1 shekull, nis me ndërtimin e unazës së re

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2019, 14:29 | Aktualitet
Buxheti i Tiranës 2020, Veliaj: Më i madhi në 1 shekull, nis me

160 milionë euro është buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2020. Gjatë prezantimit, kryetari Erion Veliaj e cilësoi atë buxhetin më të lartë të 100 viteve të Tiranës kryeqytet, me një rritje prej 11%.

“Sot miratojmë buxhetin më të madh të Tiranës në 100 vite kryeqytet dhe buxhetin e 100-vjetorit. Është një vit jubile, për të cilin po përgatitemi me shumë aktivitete dhe ngjarje kulturore, për të lënë shenjë si kryeqytet i gjithë shqiptarëve”, tha Veliaj.

Pas dy tërmeteve të ndodhura, në shtator dhe nëntor, Bashkia ka vendosur të rrisë fondin për emergjencat civile, do të vijojë rindërtimin dhe riparimin e dëmeve pas goditjes shkatërrimtare të 26 nëntorit. “Puna e rindërtimit nuk mbyllet këtu. Edhe sot do të kalojmë 300 bonuse qiraje, për ta çuar mbi 2000 numrin e familjeve që e ka qiranë 100% të paguar nga bashkia. Te pallatet e evakuuar duhet bërë një studim i thellë, nëse janë të rikuperueshme apo duhen ndërtuar nga e para”, tha Veliaj.

Pavarësisht zërave kundër dhe protestave, vitin e ardhshëm Veliaj deklaroi shembjen e Teatrit Kombëtar, nisjen e punës për ndërtimin e unazës së madhe dhe një sërë projektesh të rëndësishme të planifikuara në buxhet. “Ju e dini parimin, ne i mbarojmë punët në mëngjes. Sa të zgjohen ata nga gjumi, ka filluar teatri i ri. Kështu që, shumë shpejt vitin tjetër do të fillojnë punimet për teatrin e ri. Më vjen keq për ata që janë ngujuar aty, mund të ishin mbajtur mend për art, por po mbahen mend për sherre banale mes tyre”, tha Veliaj. “Unaza e madhe është projekt për gjithë Shqipërinë, kështu që është e kotë ta theksoj, unaza do të bëhet, siç edhe ka filluar të bëhet”.

Edhe pse çështja është ende në gjykatë, në vitin 2020 një fond i veçantë i është rezervuar projektit të tjetërsimit të Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, projektit për zonën ekonomike në Kashar, zgjerimit të Lanës, ndërtimit të qendrës së inovacionit te Piramida si dhe projektit të transformimit të 100 lagjeve në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos