Krishtlindjet pas tërmetit, politika apelon për solidaritet dhe bashkim

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2019, 17:02 | Aktualitet
Krishtlindjet pas tërmetit, politika apelon për solidaritet dhe

Lindjen e Krishtit, Presidenti Meta e uroi nga Katedralja ortodokse në Tiranë, ku u prit nga kryepeshkopi Anastas Janullatos. Kreu i Shtetit bëri thirrje për më shumë solidaritet, si dhe për të shtrirë dorën ndaj kujt është më shumë në nevojë. 

“Le të jetë kjo një ditë shprese, një ditë solidariteti, për të reflektuar edhe më shumë, për të kthyer sytë dhe për të shtrirë dorën ndaj atyre që kanë nevojë për më shumë ndihmë, mbështetje dhe përfshirje në shoqërinë tonë, që kanë nevojë për më shumë ngrohtësi dhe dashuri, në mënyrë që të kemi një Shqipëri më të qëndrueshme, më njerëzore, më dinjitoze dhe më të begatë!”, tha Presidenti Meta.

Kryeministri Rama, në respekt të traditës së tij, edhe këtë herë nuk shkoi personalisht pranë selive fetare. Urimet ai i ndau me një familje në fshatin Gjorm të Laçit, shtëpia e të cilës ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ky tërmet ishte një fatkeqësi e madhe, por si çdo rast kur të bie një e keqe është dhe një mundësi për të dalë më të fortë dhe në këtë rast për t’i bërë më mirë seç ishin gjërat. Dhe shtëpia juaj e re nuk do të ketë të krahasuar me të parën’, iu premtoi kryeministri familjarëve në fshatin Gjorm.

Kryedemokrati Basha preferoi që urimet për Krishtlindjen t’i bënte në dy prej qyteteve më të prekura nga tërmeti, si Durrësi dhe Laçi. Në qytetin bregdetar ai u ndal në Kishën Ortodokse të Shën Palit, ku bëri thirrje për bashkim si një familje. 

“Mendimet dhe lutjet e mia janë për ata që janë më shumë në nevojë, në veçanti, për të goditurit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Qoftë kjo festë, kjo ditë e shenjtë e lindjes së Krishtit edhe një thirrje për një bashkim më të madh, më të fuqishëm, si një familje, për të përballuar çdo të keqe dhe për të dalë në dritën e begatisë dhe bekimit të Zotit”, tha Basha.

Ndërkohë në Tiranë, urimet për Krishtlindjet bënë bashkë miq e armiq të vjetër të politikës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos