Bylis mund bindshëm Tiranën dhe merr kreun e Superiores

Nga A2 CNN
23 Tetor 2019, 14:58 | Futboll

Bylis ka marrë vendin e parë në renditjen e Kategorisë Superiore, pasi mundi 3-1 Tiranën në Ballsh. Golat për të zotët e shtëpisë i shënuan Goxha në të 5’, Guindo në të 35’ dhe Celis në të 71’. Golin e vetëm për bardheblutë e shënoi Dunga në të 65’. Kjo ishte fitorja e katërt për ballshiotët e ngjitur këtë vit në Superiore, duke befasuar të gjithë me atë që kanë treguar deri tani.

Pas tre rezultatesh zhgënjyese, Kukësi u rikthye te fitorja duke mundur thellë 4-1 Luftëtarin, falë dy golave nga Vasil Shkurtaj dhe nga një gol të Rrocajt dhe Ethemit.

Laçi mundi 3-0 Teutën duke marrë vetëm fitoren e dytë për këtë sezon, ndërsa “Djemtë e Detit” u detyruan të dorëzonin kreun.

Vllaznia ka fituar në transfertë me Flamurtarin 3-1, duke zhytur në krizë më të thellë vlonjatët, të cilët ndodhen në vendin e fundit me 2 pikë.

Partizani pret Skënderbeun të enjten, për të mbyllur javën e nëntë të kampionatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos