
Spitali Memorial i Fierit ka hapur një tender së fundmi, ku kërkon shërbim hotelerie për 40 mjekë turq të cilët do të shërbejnë aty gjatë gjithë vitit. Mjekët që do të punojnë në spitalin e ndërtuar me fondet e Turqisë parashikohet të qëndrojnë në Fier apo rrethina për rreth 245 ditë në vit. Vendndodhja e hotelit duhet të jetë jo më larg se 10 km me rrugë automobilistike nga Spitali Rajonal “Memorial”.
Tenderi ka një fond limit prej 374 mijë eurosh, çka do të thotë që çmimi tavan i përllogaritur është për rreth 76 euro për dhomë për një natë.
Në kushtet që u kërkohen të plotësojnë operatorët ekonomikë që do të marrin pjesë në tender, përveç atyre normale, si cilësia e dhomave, izolimi termik dhe pastërtia, vihet re kërkesa për pasjen e një ambienti të veçantë sportiv dhe argëtimi, ku të ofrohen lojëra shahu dhe domino.
Gjithashtu, operatori ekonomik fitues duhet të ofrojë ushqim për personelin turk për 1 vakt ditor (mëngjesin) me meny javore të ndryshme si dhe pije, veçanërisht ujë dhe çaj turk pa limit, si dhe gatime tradicionale turke.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit u ndërtua në maj të vitit 2021. Ai ka një sipërfaqe totale prej 17 425 metrash katrorë, 150 shtretër, 6 salla operacioni dhe 6 poliklinika. (A2 Televizion)