
"Coda" dhe "Dune" ishin filmat që dominuan edicionin e 94-t të çmimeve Oskar, në një mbrëmje të ndarë mes të papriturave dhe dëshirës për kinemanë pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë. Coda u shpall si filmi më i mirë i vitit, duke lënë duarbosh pretendentët kryesorë "The Power of the Dog" dhe "Belfast". Një komedi dramë që tregon historinë e një familjeje shurdhmemece, "Coda" është i pari prodhim i shërbimit Streaming Apple TV, që merr çmimin prestigjioz.
“Falënderoj akademinë që vlerësoi një film për dashurinë dhe familjen në kohërat e vështira që po jetojmë sot”, tha producenti Philippe Rousselet.
"Coda" mori edhe dy Oscar të tjerë, për aktorin më të mirë në rol dytësor Troy Kotsur, i pari aktor me mungesë dëgjimi që vlerësohet me këtë çmim dhe gjithashtu për skenarin më të mirë joorigjinal. Filmi Dune ishte fituesi tjetër i madh i mbrëmjes, duke rrëmbyer plot 6 çmime, kryesisht në kategoritë teknike.
Sakaq, Jane Champion gruaja e parë e kandiduar dy herë në kategorinë e regjisorit më të mirë, u bë gruaja e tretë në historinë e Oskarëve që e mori këtë çmim për filmin "The Power of the Dog", një prodhim i Netflix.
“Faleminderit Akademi. Është nderimi i një jete. Ju falënderoj!”, u shpreh ajo.
Jessica Chastain u vlerësua si aktorja më e mirë protagoniste për rolin në "The Eyes of Tammy Faye". Në kategorinë e meshkujve, çmimi prestigjioz shkoi për Will Smith, i vlerësuar për rolin e babait të tenisteve Serena dhe Venus Williams, por fitorja u eklipsua nga një akt i pazakontë spontan i Smith që u bë menjëherë viral dhe mori të gjithë vëmendjen. Aktori u ngjit në skenë dhe qëlloi me shuplakë prezantuesin Chris Rock, pasi ky i fundi bëri një batutë për rënien e flokëve të bashkëshortes së Smith, Jada….”Jada, mezi pres të shoh GI Jane 2”, tha Rock duke iu referuar filmit ku Demi Moore aktron në rolin e një rreshterje me flokët e qethura në zero. Ndërsa fillimisht, u duk sikur qeshi me batutën, Smith dukshëm i irrituar shkoi drejt kolegut dhe i ra me shuplakë, duke lënë në mosbesim prezantuesin dhe audiencën.
Ndërsa Rock u përpoq të çdramatizonte situatën, Smith, tanimë i rikthyer në vendin e tij, i kërkoi me tone të ashpra të mos e përmendte më bashkëshorten e tij.
Smith kërkoi falje për incidentin, kur u ngjit sërish në skenë, për të pranuar mes lotësh statujën.
“Richard William ishte një mbrojtës i flaktë i familjes së tij. Arti imiton jetën, dhe tani unë dukem si babai i çmendur, siç thanë edhe për Richard Williams. Por dashuria të detyron të bësh gjëra të çmendura”.
Për 30 sekonda, ceremonia e Oskarëve heshti për Ukrainën në një homazh që nisi me aktoren më origjinë ukrainase, Mila Kunis. E megjithatë gjatë mbrëmjes munguan dedikimet për luftën, diçka që nxiti kritika ndaj organizatorëve. (A2 Televizion)