Çështja “McGonigal”, PD: Nëse refuzohet kërkesa për komision hetimor, e dërgojmë në Kushtetuese

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2023, 12:11 | Politikë
Çështja “McGonigal”, PD: Nëse refuzohet

Partia Demokratike zyrtarizoi kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen McGonigal. Kreu i grupit të deputetëve të PD-së, Luçiano Boçi tha se me këtë komision synohet që Rama të përgjigjet para deputetëve mbi lidhjet mes tij dhe ish-zyrtarit të FBI-së. Sinjaleve nga PS-ja për një rrëzim të kërkesës së tyre, deputeti i PD-së iu përgjigj duke thënë se në këtë rast, opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Kemi dorëzuar kërkesën për 44 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Rama-McGonigal. Me këtë komision do ta nxjerrim Ramën nga kamarja ku është fshehur, pasi që e dini shumë mirë që kryeministri nuk pranon as interpelancë, as mocion me debat, as vjen të japë shpjegime në parlament, por në mënyrë të çuditshme del nga frëngjia e Skype-it dhe mundohet të justifikohet”, tha Boçi për gazetarët.

“Rregullorja e përcakton qartë në nenin 25, kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e një komisioni është detyrë e Kuvendit ta pranojë komisionin. Është refuzuar komisioni po prej Edi Ramës për çështjen e çarterave, dhe pretendimet dolën hapur. Rama ka shfrytëzuar dhe ka harxhuar paratë e taksapaguesve 20 milionë euro, pasi dolën faktet në media. Megjithatë, ai nuk pranoi që të vijë në komision. Nuk do të shpëtojë kësaj radhe. Nuk mundet që Rama të fshihet përsëri. Do të vijë në Komision Hetimor si Çeço dhe do të përgjigjet para këtij komisioni. Këtu është shpresa dhe besimi im që duhet që të zbatohen ligjet e shtetit shqiptar. Ligjet e miratuara nga vetë Kuvendi, Rregullorja, Kushtetuta e vetë Kuvendit dhe Ligjet për Komisionet Hetimore. Do t’i çojmë në Kushtetuese të dyja rastet. Edhe rastin e komisionit të parë për çarterat, edhe këtë rast për çështjen McGonigal-Rama”.

Edhe Komisioni Juridik i dhomës së përfaqësueseve të drejtuar nga republikanët në SHBA, kërkon informacione për ish-zyrtarin e lartë të Byrosë Federale të Hetimeve, përmes një letre dërguar drejtorit të FBI-së, Christofer Wray. Kryetari i Komisionit, Jim Jordan, dhe republikani tjetër, Matt Gaetz, kërkojnë informacione në lidhje me punën e tij apo veprime të ndërmarra që vënë në rrezik sigurinë kombëtare. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/03/ceshtja-mcgonigal-kongresi-amerikan-nis-hetimet-kerkon-informacione-per-ish-zyrtarin-e-fbi/
https://a2news.com/2023/01/24/kontakte-me-oligarkun-rus-dhe-ish-punonjesin-e-inteligjences-shqiptare-per-cfare-akuzohet-ne-shba-ish-zyrtari-i-fbi-charles-mcgonigal/

A2 CNN Livestream

Latest Videos