
Në një takim me kryetarët e degëve në PD, Sali Berisha, është shprehur se veprimet e Ramës, i cili nuk ishte pranishëm në seancën e së enjtes ku pati interpelancë për çështjen e zyrtarit të FBI-së, mund t’i bënte vetëm Lukashenko, por jo kryeministri i një vendi anëtar i NATO-s.
“Prova e demokratëve është provë e madhe. Është mision përmbushja e të cilit është shpëtimi i Shqipërisë. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është barrë, është turp për çdo shqiptar të ndershëm, çdo atdhetar, për çdo shqiptar të vokacionit perëndimor në Shqipëri. PD-ja që është forcë e vokacionit perëndimor është dhe do të ngrihet në këmbë e tëra gjer në largimin e tij nga pushteti.
Ne në takime të tjera, kemi diskutuar së bashku dhe kemi përcaktuar si mision, largimin e Edi Ramës, për rikthimin e votës së shqiptarëve, dhe ky është zhvillimi më madhor, por me zhvillimet e reja, largimi i Edi Ramës bëhet dy herë më imperativ për shkak të veprimeve të tij antishqiptare, të veprimeve të tij, të cilat mund ti bënte vetëm Lukashenko i Bjellorusisë, një aleat i Putinit, por kurrë kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s”, tha Berisha. (A2 Televizion)