PD mbledh firmat për të kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për “McGonigal”

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2023, 14:32 | Politikë

Partia Demokratike ka mbledhur firmat e nevojshme për të kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen McGonigal.

42 deputetë demokratë kanë firmosur për ngritjen e këtij komisioni.

Kështu, PD-ja kërkon ndër të tjera ngritjen e këtij Komisioni në mënyrë që të verifikohet ligjshmëria e kontakteve dhe marrëdhënieve të kryeministrit Edi Rama me agjentin e FBI-së, Chareles McGonigal, Dorian Duckën e Agron Nezën, si dhe përfshirja e tyre në marrëdhënie dhe ndërveprim me McGonigal dhe oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Ndërkohë, në selinë blu, kryetari Sali Berisha ka mbledhur Grupin Parlamentar. Në fjalën e tij, përpara mbledhjes, kryedemokrati i përgëzoi të gjithë deputetët që kanë firmosur për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar.

“E siguroj Komisionin Hetimor Parlamentar të Kongresit të SHBA-së se komisioni ynë do të bëjë gjithçka për të zbardhur veprimtarinë kriminale të Edi Ramës, të McGonigal në Shqipëri, të Marco Ross-it dhe grupit të tyre. Duhet të dini se, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në aspekte të tjera, këta aventurierë kanë luajtur me interesa të një rëndësie jetike për SHBA-në. Komisioni do t’i rreshtojë të gjitha këto, si një detyrim madhor ndaj SHBA-së. Mos prisni nga SKAP-i i partisë. McGonigal është ulur këmbëkryq me ta. Jo një herë, por disa herë. Hetimin më të plotë do ta bëjë komisioni hetimor parlamentar,” deklaroi ndër të tjera Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos