
Por telashet ligjore për Donald Trump duket se nuk kanë fund. Dy bashkëpunëtorë të ish presidentit amerikan, të përfshirë në çështjen me mashtrimin zgjedhor në Xhorxhia, u vetëdorëzuan të parët në burgun Fulton. Ndërsa dy të pandehur të tjerë po kërkojnë që të zhvendosin çështjen për në një Gjykatë Federale. Prokurorja e Kontesë Fulton, Fani Uillis, ka akuzuar Trump dhe 18 persona të tjerë për pjesëmarrje në skema të ndryshme për të ndikuar në rezultatin për zgjedhjet presidenciale në Xhorxhia.
Të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje, përfshirë ish presidentin, pritet që të vetëdorëzohen në burgun Fulton përpara se të skadojë afati i fundit këtë të premte. Trump, i cili ka pranuar të paguajë gjobën prej 200 mijë dollarësh për lirinë e tij, njoftoi se do të dorëzohet të enjten.
Ish-kryetari i Republikanëve në Xhorxhia, David Shafer, i cili udhëhoqi delegacionin me zgjedhës fals për këtë shtet, tha gjatë një dëshmie se bashkë me personat e tjerë vepruan me direktiva të presidentit Trump dhe zyrtarëve të tjerë. Shafer luajti një rol kyç në organizimin e fushatës së Trump për zgjedhësit e rremë për shtetin e Xhorxhias, duke firmosur edhe një certifikatë false duke pretenduar fitoren e Trump në këtë shtet. (A2 Televizion)