
Personat e infektuar me koronavirus do ta mbajnë në ndërgjegjen e tyre nëse do të votojnë apo jo më 25 prill. Si nga administrata zgjedhore, ashtu edhe nga ajo shëndetësore deklarohet se nuk do të miratojnë rregulla shtesë, për të ndaluar hyrjen e të sëmurëve aktivë në qendrat e votimit. Që kur virusi kaloi në transmetim komunitar procesi i gjurmimit dështoi e po ashtu edhe misioni i policisë për të verifikuar shkelësit e karantinës.
Kim: SHBA nuk mbështet asnjë kandidat
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e bëri të qartë që në këto zgjedhje SHBA-ja nuk mbështesin asnjë kandidat, por janë për një proces të ndershëm dhe të lirë. "Ju siguroj që nëse do të doja që ju të votonit për dikë do ua thosha, dhe jo një mesazh të fshehur", tha ajo.
Plagosja e dy policëve në Mamurras, arrestohet efektivi i policisë
David Madani është efektivi i policisë i arrestuar për plagosjen e dy kolegëve të tij në Mamurras. Çdo gjë nisi kur para tij u shfaqën 6 persona me shkopinj bejzbolli në duar. I gjendur në kushte të vështira efektivi nxori armën dhe qëlloi në ajër për paralajmërim. Pavarësisht kësaj, ata e sulmuan duke e goditur me shkopinj. 45-vjeçari tha para hetuesve se gjatë kohës që goditej me shkopinj bejsbolli në mënyrë të pavullnetshme arma u shkrep dhe 3 herë të tjera, çka solli plagosjen e pavullnetshme të kolegëve.
Kompania Pfizer: Nuk mjaftojnë vetëm dy doza vaksine
Më shumë mundësi nuk do të mjaftojnë vetëm dy doza vaksine kundër koronavirusit. Kjo është deklarata më e fundit e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë Pfizer, i cili shtoi se doza e tretë do t’i ndihmonte të vaksinuarit nga variantet e reja të virusit. Diskutimi ynë për momentin është përqendruar edhe për marrjen e vaksinës çdo vit, tha Albert Bourla.
SHBA dëbon 10 diplomatë rusë, sanksione edhe 6 kompanive ruse
Ndërhyrja në zgjedhjet amerikane i ka kushtuar Rusisë dëbimin e 10 diplomatëve të saj dhe një raund të ri sanksionesh ndaj gjashtë kompanive ruse që mbështesin veprimtaritë kibernetike. Një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse tha se sanksionet amerikane janë kundër interesave të dy vendeve dhe se përgjigjja e Rusisë do të jetë e pashmangshme.
Michel, bisedë telefonike me Zelensky: BE mbështet integritetin territorial të Ukrainës
Në anën tjetër, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Pasi shprehu shqetësim të thellë për përqendrimin e madh të forcave ushtarake ruse në kufi, ai tregoi mbështetjen e vendosur të BE-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Kjo u konfirmua nga BE-ja në një njoftim për shtyp.
Dendias shpërthen para Cavusoglu, i numëron të gjitha shkeljet
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ishte përgatitur më së miri për vizitën në Turqi dhe takimin me presidentin Erdogan. Gjatë konferencës për shtyp që pasoi takimin me homologun Cavusoglu, ministri helen ia numëroi në sy të të gjithëve shkeljet e bëra nga pala turke. Temat e diskutimit ishin pakicat kombëtare, shkeljen e territorit ajror, e drejta e zonës ekonomike ekskluzive dhe bashkëpunimi me Gylen.
Izraelitët marrin frymë lirisht, maska jo më e detyrueshme në publik
Nga e diela e 18 prillit në Izrael nuk do të jetë më e detyrueshme te mbash një maskë jashtë. Kjo është ajo që përcaktohet nga një direktivë e Ministrisë së Shëndetësisë. Sidoqoftë, në ambientet e mbyllura ajo duhet mbajtur, vërejnë autoritetet. Vendimi ishte diskutuar për disa javë, por sipas Jerusalem Post, autoritetet kanë vendosur të presin për fundin e festave kombëtare të Ditës së Përkujtimit dhe Ditës së Pavarësisë, nga frika se festimet pa maska mund të çojnë në një rritje të infeksioneve. Izraeli është një histori suksesi ndër shtetet e botës përsa i takon vaksinimit. (A2 Televizion)