Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
21 Prill 2021, 07:53 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Plagosja në zyrën e PD në Kavajë, arrestohen autorët

Policia vuri në pranga autorin e plagosjes në zyrën e PD në Kavajë, Ndriçim Jonuzi, së bashku me Dorjan Troplini dhe Markel Shtylla. Këta persona akuzohen se dy ditë më parë sulmuan sekretarin e zyrës së PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni duke e lënë të plagosur në këmbë. Akti i Jonuzit u bë edhe argument politik mes palëve për të zbuluar arsyet e veprës së tij. Nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale, ky i fundit sqaronte se motivet nuk lidheshin me prirjen politike. Menjëherë, pasi kreu krimin, ai u arratis, por pas punës së pandalur policia arriti të gjejë vendndodhjen e tij dhe ta vërë në pranga.

Përgatitjet për zgjedhje, Celibashi: Komisionerët të zbatojnë ligjin

Partitë politike duhet të ulin tonet ndërsa komisionerët në zgjedhje duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhrat politike. Ky është apeli më i fundit i kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi. "Secili prej tyre ka karakterin e lidershipit që të kuptojnë se sa më afër ditës së zgjedhjeve, aq më qetë duhet të shfaqin retorikën e tyre politike", tha ai në takimin me gazetarët. Të sëmurët me Covid që do i drejtohen qendrave të votimit nuk do të pengohen të votojnë, por ata duhet ta kenë në ndërgjegjen e tyre nëse ia vlen t’u bien në qafë qytetarëve të tjerë me këtë të drejtë kushtetuese që është vota.

Muaji i Ramazanit, ulet interesi i qytetarëve për t’u vaksinuar

Pas interesimit të madh të treguar në ditët e para për marrjen e vaksinës kundër Covid-19, fluksi i qytetarëve që qëndronin para tendave në sheshin “Skënderbej” ka rënë. Autoritetet e lidhin këtë fakt me muajin e Ramazanit, sipas të cilëve, ka ndikuar në mosinteresin e qytetarëve për të marrë vaksinën. Nga krerët e Komitetit Mysliman Shqiptar u është bërë thirrje besimtarëve që vaksina nuk e cenon agjërimin. 11 për qind e popullatës janë vaksinuar deri tani sipas statistikave me të paktën dozën e parë. 20 mijë personel shëndetësor ndërkohë i kanë marrë të dyja dozat. 

Nënshkruhet marrëveshja për aeroportin e Vlorës, punimet zgjasin 3 vjet

Qeveria nënshkroi kontratën me investitorin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Sipas këtij dokumenti, Behgjet Pacolli fitoi konsorciumin 35-vjeçar që parashikon ndërtimin dhe menaxhimin e tij. Ky aeroport kërkon së paku 3 vjet për t’u ndërtuar dhe ka një kosto prej 103 mln eurosh. Pas aeroportit të Kukësit, ky përbën edhe aeroportin e tretë ndërkombëtar të Shqipërisë që do të presë edhe linjat ndëroqeanike e do t’i vijë mbarë çdo shqiptari, kryesisht të zonës së jugut që dëshiron të përfitojë nga fluturimet low cost.

Joe Biden letër Vjosa Osmanit: Mbështesim vazhdimin e dialogut me Serbinë

Presidentja e Kosovës mori konfirmimin zyrtar se Amerika mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përqendrohet te njohja reciproke. Këtë shkruan presidenti Biden në letrën dërguar homologes kosovare në të cilën përmend edhe një tjetër shenjë të dashamirësisë që ai ka për këtë vend duke konfirmuar angazhimin për të ndihmuar shtetin më të ri në Ballkan me vaksina kundër pandemisë. Kjo pritet të bëhet me shtimin e sasisë së vaksinave dhe në bashkëpunim me shtetet partnere.

Bie ideja e Superligës Europiane, tërhiqen klubet angleze

Lindi dhe vdiq në më pak se 48 orë. Super League e Europës është drejt dështimit pasi shkaktoi polemika në të gjithë globin. Në një mbledhje urgjente të zhvilluar në mesnate, projekti i Florentino Perez dhe Andrea Agnelit ka ngritur flamurin e bardhë pasi të gjitha skuadra angleze, një pjesë prej të cilave ende jo zyrtarisht, kanë bërë prapakthehu dhe janë tërhequr nga turneu. “Duhet të bëjmë një ristrukturim të formatit", shkruhet në komunikimin më të fundit të SuperLigës Europiane. Jemi të vendosur për ta konkretizuar këtë projekt. Duam të sjellim në jetë një kampionat të ri për klubet sepse ai me sistemin aktual nuk funksionon”, është kjo një pjesë e letrës së Superligës, nga e cila pritet të largohen të tjera skuadra.

Cikalleshi në formë të mirë, asist dhe gol në ndeshjen ndaj Rizespor

Një asist dhe një gol. Sokol Cikalleshi vazhdon të shkëlqejë në Superligën turke, edhe pse skuadra e tij, Konyaspor nuk arriti të përfitonte nga forma e shkëlqyer e sulmuesit. Prej minutave të para të lojës, kuqeziu dha pasimin e fundit për rrjetën e Guilherme, që zhbllokoi ndeshjen, ndërsa në të 12-n shënoi golin e avantazhit të përkohshëm 2-0. Pavarësisht golave të shpejtë, Konyaspor nuk arriti të përfitonte dhe në fund u mposht me rezultatin e thellë 5 me 3 nga Rizespori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos