Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
23 Prill 2021, 07:59 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Ambasadorët thirrje politikës në prag të zgjedhjeve: Përmbahuni!

“Ulni tensionet politike në prag të zgjedhjeve dhe hiqni strukturat për mbrojtjen e votës”. Ky ishte apeli i përbashkët i ambasadores amerikane dhe kryediplomatit të BE-së në vendin tonë pas takimit, pasditen e djeshme me Ilirian Celibashin. “Grupet e pautorizuara për mbrojtjen e votës që i përkasin së shkuarës nuk duhet të jenë prezente në të tashmen”, tha Juri Kim. “Çfarë ndodh në këto zgjedhje ka një rëndësi të madhe për ne, pasi nga mbarëvajtja e tyre do të përcaktohet edhe afati i uljes në tryezën e përbashkët me BE”, tha Luigi Soreca.

Kosova lehtëson procedurat për punësimin dhe lejen e qëndrimit për shqiptarët

Qeveria e Kosovës miratoi Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “Për Mobilitetin në Punë” e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Kjo përkthehet në lehtësira punësimi për shtetasit tanë në Kosovë dhe lehtësim të procedurave të lejeqëndrimit, njësoj sikur i parashikon vendi ynë për shtetasit nga Kosova. Për kryeministrin Kurti ky është një hap mjaft pozitiv. “Le të punojmë së bashku për më shumë njehsime në të ardhmen”, tha ai.

Vijon triumfi i Serbisë, i pari shtet që nënshkruan marrëveshje me Modernën në Ballkan

Serbia, shteti lider në Ballkan për procesin e imunizimit të popullatës, e cila që prej fillimit firmosi marrëveshje me kompanitë farmaceutike njoftoi se mbylli një tjetër kontratë të vlefshme. Presidenti Vuçiç njoftoi arritjen e dakordësisë me amerikanen Moderna dhe se vaksinat e saj do të dorëzohen para tetorit. Kjo e bën Serbinë edhe një prej vendeve të para në Europë që merr dozat e kësaj kompanie. “Duhet të duroni kritika të ashpra kur bëni diçka dhe unë jam krenar që jam pjesë e një ekipi që bëri diçka. Ne bëmë punën tonë dhe morëm më shumë vaksina se të tjerët”, tha Vuçiç. Në Serbi qytetarët e zgjedhin vetë nëse duan të vaksinohen me Pfizer, Astrazeneca, Sinopharm apo Sputnik.

Covid-19, kryeministri francez: Gati të rihapim ekonominë

“Pikun e valës së tretë të koronavirusit e kemi lënë pas dhe tani jemi gati të marrim frymë sërish”. Kjo është deklarata më e fundit e kryeministrit francez Jean Castex, i cili njoftoi lehtësimin e masave kundër pandemisë. “Këtë e tregon edhe ulja e numrit të shtrimeve në terapinë intensive”, tha ai. Plani i qeverisë parashikon që lehtësimi i masave me hapjen e bizneseve jo të domosdoshme të fillojë nga 3 maji. Megjithatë, ekspertët e paralajmërojnë qeverinë të jetë e kujdesshme dhe popullin të tregohet vigjilent pasi rreziku është sërish aty.

Fushata e vaksinimit në SHBA, Biden: Mbajtëm premtimin për 200 milionë doza

"Përmbushëm zyrtarisht qëllimin tonë për 200 milionë doza të vaksinës kundër Covid në 100 ditët e mia të para". Presidenti i SHBA-së Joe Biden nuk priti konferencën për shtyp, por e publikoi atë në rrjetet sociale për të treguar krenarinë e tij para shtetasve amerikane, duke nënvizuar se ishte "një demonstrim i fuqishëm i unitetit dhe vendosmërisë". "Kjo na kujton atë që mund të arrijmë kur të jemi të bashkuar për të ndjekur një qëllim të përbashkët", vëren Biden.

Presioni ndërkombëtar, Rusia tërheq trupat nga kufiri

Pas presionit të madh ndërkombëtar, Rusia lëshon territor. Gjatë orëve të fundit, Kremlini zyrtar ka njoftuar tërheqjen e ushtrisë së pozicionuar në kufi me Ukrainën. “Qëllimi i kontrolleve të shpejta është përmbushur. Ushtria tregoi aftësinë e saj për të garantuar forcë të mjaftueshme për të mbrojtur vendin” tha ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. BE konfirmoi tërheqjen e mbi 100 mijë ushtarakëve. Ky vendim u mirëprit nga Ukraina, presidenti i saj Volodimir Zelensky tha se vendi i tij kërkon vetëm paqe.

Gjysmëfinalja e Champions, Real – Chelsea rrezikon anulimin

Real Madrid-Chelsea, gjysmëfinalja e Champions League mund të mos luhet. Ekziston një mundësi që galaktikët të dënohen, në mbledhjen që Komiteti Ekzekutiv i UEFA do të zhvillojë këtë të premte, për atë që shkaktoi krijimi i Superligës Evropiane nga presidenti Florentino Perez. Kreu i UEFA-s Aleksandër Ceferin ka reaguar sërish dhe këtë herë nuk i kursen as talljet për gjendjen në të cilën përfundoi projekti i Perez dhe Andrea Anjelit. “Më kanë dërguar një program të ndeshjeve të Superligës. Ishte shumë zbavitës sepse luanin çdo ditë Real Madrid dhe Juventus”, kështu ka ironizuar presidenti i UEFA-s që ndër të tjera theksoi se nuk do të ketë më një raport personal me dy presidentët që themeluan Superligën e Evropës.

Dështimi i Superligës, fansat e United duan largimin e drejtuesve të klubit

Pas dështimit të Superligës, tifozët e Manchester United nisën protestat kundër drejtuesve të klubit. Një grup me rreth 20 mbështetës të Djajve të Kuq bllokoi hyrjen e kompleksit stërvitor të skuadrës, në shenjë revolte kundër pronarëve të klubit, familjes Glazer. “E vendosim ne ku luani” dhe “Glazers largohuni” ishin thirrjet e tifozëve, me protestën që u mbyll pa incidente. Në shënjestër ishte Joel Glazer, i cili ishte shpallur edhe zv.president i Superligës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos