
Shumë pika të errëta shikon gazetari i A2 CNN Armand Bajrami sa i takon deklaratës zyrtare të Policisë ditën e sotme në lidhje me ngjarjen e Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive e forcave Shqiponja. Në studion e “Absolut 4”, ai tha se në konferencën e sotme për shtyp, nuk u tha asgjë mbi rolin e drejtuesve të Policisë, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje. Po kështu nuk pohohen veprimet konkrete të punonjësve të policisë, të cilët e kanë detyrim ligjor të veprojnë në situata të tilla.
“Kush qëlloi i pari është kryepyetja, po jo e vetme. Unë besoj që duhet të theksojmë se policia edhe dje nuk ka pasur komunikim zyrtar. Ishte vetëm një njoftim i thatë dy orë pas ngjarjes. Policia reagoi me dy orë vonesë, ndërsa komunikim më të plotë 24 orë më vonë, që kishte shumë pika të errëta. Roli i drejtuesve të policisë në ngjarjen e djeshme nuk u tha sot në atë deklaratë. U pohua vetëm që kanë qenë të pranishëm, kanë qenë edhe efektivë të forcave Shqiponja, por asgjë mbi rolin e këtyre drejtuesve dhe çfarë bënë ata në një situatë të tillë. Situata ishte e rëndë. U gjetën 20 gëzhoja policia zotëron vetëm një armë, atë të Arbër Paplekajt, por nuk pohohen veprimet konkrete të punonjësve të policisë. Ata e kanë detyrim ligjor të veprojnë në situata të tilla. Nuk u pohua që punonjësit e policisë kanë vepruar apo jo?” (A2 Televizion)