
Trupa nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Franca sulmuan forcat gjermane në brigjet e Francës veriore më 6 qershor të 1944-s.
Ky ishte operacioni më i madh ushtarak, detar, ajror e tokësor në histori dhe shënoi fillimin e fushatës për çlirimin e Evropës veriperëndimore të pushtuar nga nazistët.
Në të ashtuquajturën D-Day, dita e parë e operacionit ushtarak, dhjetëra mijëra trupa zbarkuan në 5 plazhe të ndryshme të Normandisë. U desh më shumë se një vit për planifikimin e operacionit, i cili fillimisht u caktua të niste në 5 qershor. Por stuhitë e paparashikuara, bënë që D-Day të shtyhej për një ditë më vonë.
Herët në mëngjes, forcat aleate filluan sulmin në frontin veriperëndimor të kështjellës evropiane të Hitlerit, nën urdhrat e gjeneralit Eisenhower dhe të mbështetur nga njësi të fuqishme të aviacionit. Tonelata me materiale lufte ishin vënë në dispozicion dhe ishin prodhuar blloqe gjigande betoni për krijimin e porteve artificiale për furnizimet.
Në operacion u përfshinë 7 mijë anije dhe pajisje zbarkimi, të cilat çuan një total prej 156 mijë ushtarësh dhe 10 mijë mjetesh përgjatë brigjeve të Normandisë. Vetëm në ditën e parë të operacionit 4 400 ushtarë të Aleancës u vranë ndërsa 9 mijë të tjerë u plagosën. (A2 Televizion)