Champions League, Milan e Inter luajnë shanset për kualifikimin

Nga A2 CNN
19 Tetor 2021, 07:28 | Futboll
Champions League, Milan e Inter luajnë shanset për kualifikimin

Edhe pse janë vetëm ndeshjet e treta në grupe, kjo e martë e Champions League është tejet e rëndësishme. Milani dhe Interi luajnë një pjesë të madhe të shanseve për t’u kualifikuar në 1/8. Kuqezinjtë synojnë të marrin pikë të rëndësishme në Portugali përballë Portos.

Edhe pse në mënyrë të pamerituar, Milani i ka humbur dy ndeshjet e para me Liverpool dhe Atletico Madrid. Trajneri Pioli ka mjaft dyshime me formacionin, me Rebiç që mungon dhe Giroud, i cili pritet të jetë titullar, duke lënë Ibrahimoviç në stol.

Supersfida e mbrëmjes është pikërisht ajo e Grupit B, ku Liverpool kryesues luan në fushën e Atletico Madrid. Suarez e Griezmann sfidojnë treshen e frikshme të Reds, me Salah, Firmino, Mané.

Në Grupin D, Interi luan përballë Sheriff Tiraspol, që në mënyrë befasuese kryeson me 6 pikë të plota. Zikaltërit duhet të fitojnë, për t’u afruar me kreun dhe mund të mbështeten te rikthimi i Dumfries e Calhanoglu në formacionin titullar, ashtu si Lautaro që do të jetë përkrah Dzeko. Rivali nga Moldavia nuk mund të nënvlerësohet, mbi të gjitha pas surprizës së fundit në Santiago Bernabeu.

Reali nga ana e tij do të luajë në Ukrainë, në trasfertën me Shaktar Donetsk.

Në fushë zbresin edhe Manchester City, me skuadrën e Guardiolës që është e angazhuar në trasfertën me Brugges, me belgët që kryesojnë Grupin A me 4 pikë përkrah Paris Saint Germain. Francezët nga ana e tyre luajnë në shtëpi kundër Leipzig. Duel mjaft interesant edhe ai ndërmjet Ajax e Borussia Dortmund, për supremacinë në Grupin C. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos