"Çmime të larta, mungesë tregu", nafta pa akcizë nuk mjafton për fermerët

Nga A2 CNN
23 Maj 2023, 12:54 | Aktualitet
"Çmime të larta, mungesë tregu", nafta pa akcizë

Skema e subvencionimit të naftës për fermerët duket se nuk i ka lehtësuar shpenzimet dhe kostot e prodhimit për fermerët e një prej zonave më bujqësore në juglindje të vendit, në Maliq. Fermerët ankohen se sasia e naftës së marrë nuk ka ndikuar në të ardhurat e tyre, pasi janë rritur shumë kostot e shërbimeve të tjera, farërave dhe pesticidive që janë të detyruar të përdorin.

“Është e pamjaftueshme, se ndryshimi i çmimeve të mekanizatorëve të plehut e të gjitha këto e humbin vlerën e kësaj. Kot që i marrim naftën e të tëra. Më dha naftën, më bëri farën 1 mijë lekë. Çfarë më bëri shteti?”, thotë një fermer.

“E mjaftueshme nuk ka qenë, se me atë naftë dhe vaditim”, thotë një tjetër.

Mungesa e tregut vijon të jetë shqetësim për fermerët edhe pse zotërojnë sasira të konsiderueshme të prodhimeve bujqësore dhe tokës që punojnë.

“Ne plugimet i bëjmë me çmim të lartë. Plehrat u rritën. Farërat po ashtu. Sivjet 8 mijë lekë fara e misrit. Kur vjen puna për t’u shitur na mbetet malli këtu. Me se do të ushqehemi?”, shprehet një tjetër fermer.

Fermerët e zonës së Maliqit kultivojnë kultura të ndryshme bujqësore, që nga drithërat e deri tek frutat dhe perimet, që përbëjnë edhe të ardhurat kryesore për ekonominë e familjeve të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos