Çmimet e qumështit dhe bulmetit, blegtorët po përballen me kosto shtesë prej krizës

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 19:30 | Aktualitet
Çmimet e qumështit dhe bulmetit, blegtorët po përballen me

Blegtorët, janë vendosur mes dy zjarresh. Nga njëra anë çmimet e larta të bazës ushqimore për bagëtinë dhe nga ana tjetër grumbulluesit që refuzojnë t’i blejnë qumështin dhe mishin me çmime të rritura.

Viti 2022, me krizën e çmimeve të papërballueshme dhe me vështirësitë e zakonshme, po i shtyn fermerët drejt vitit të ri në kushtet e mbijetesës.

Në rast se fermerët nuk ua shesin dot produktet e tyre grumbulluesve, atëherë dalin vetë në treg ku përballen me transportin e kushtueshëm dhe me pakënaqësinë e konsumatorëve, që vuajnë kostot shtesë në çmimin e produktit final.

Rigerta Loku, që merret me rritje e dhive në zonën e Mirditës, tregon se sa po paguajnë fermerët e asaj zone për të blerë bazën ushqimore për bagëtitë.

Sikurse edhe blegtorët e tjerë në zonën e saj, Rigerta i çon vetë prodhimet te klientët dhe tregon se pavarësisht sakrificave të fermerëve, kostot e shtuara po i vishen çmimit të produktit final.

Nga djathi që është shtrenjtuar me 300 lekë për kilogram, deri te vezët që sot me 100 lekë mund të marrësh dy kokrra vezë, nga 5 që mund të blije më herët me po aq lekë.

Ajo çfarë kërkojnë fermerët është rritja e subvencionit direkt dhe të mundësohet akses edhe për ata që nuk e përdorin mirë teknologjinë, një element që i pengon në vrapin drejt subvencioneve të limituara, që shkojnë për më të shkathtit.

Duke u përballur me këto vështirësi, fermerët po prodhojnë më pak ose po mbyllin fermat.

Edhe kompanitë e përpunimit të qumështit, po kërkojnë ndryshime fiskale dhe rritje të buxhetit për fermerët, pasi sektori po shkon drejt rënies nga shtimi i kostove. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos